Zhvatja në emër të reklamave
Posta dhe Telekomi i Kosovës për tetë muaj me radhë ka paguar faturat për të siguruar hapësirat reklamuese nëpër Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
70 mijë euro janë paguar brenda tetë muajve për “shfrytëzimin” e këtyre hapësirave reklamuese. Pagesa e këtyre faturave dhe nënshkrimi i kontratës është bërë nga udhëheqësit e kësaj kompanie.
Por, për tetë muaj PTK-ja nuk ka shpalosur në këto hapësira asnjë pankartë të sajën me qëllim të promovimit të ndonjë produkti të saj. E për keqpërdorimin e rreth 70 mijë eurove PTK-ja ka marrë vetëm disa masa disiplinore për disa të punësuar.
Ndërkohë që rasti nuk është dërguar në polici apo prokurori për të hetuar nëse shkelje të tilla përbëjnë shkelje penale.
Burimet e gazetës kanë bërë të ditur se kontrata fillimisht është nënshkruar në kohën kur kryeshef i PTK-së ishte Ejup Qerimi. Por, pagesat kanë vazhduar edhe në kohën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit Mehdi Latifaj.
Ky i fundit dhe Valon Zhuniqi, drejtor i Valës, kanë vazhduar t’i paguajnë këto hapësira reklamuese edhe pse në to nuk ishte vendosur asnjë reklamë e PTK-së.
http://koha.net/?id=27&l=58913


