A fitohet nga bujqësia – tregon Ibrahim Berisha, kultivues i madh i perimeve
Gjilan – Jo në mes të fshatit, por në rrugën që të shpie drejt për në Gjilan, tre qind metra nga qendra e fshatit apo xhamisë, gjendet shtëpia e Ibrahim Berishës, punëtor e kultivues i madh i perimeve nga ky lokalitet. Ky njeri e do punën.
Rastësisht u gjendem në shtëpinë e tij, i cili, sa ishim duke u interesuar për rasadet e perimeve, ai nuk u ndalte duke na folur për punën që e bënë në ato serra të tij të mbjella me lloj-lloj perime. “Po, tha Ibrahim Berisha 50-vjeçar nga fshati Llashticë. Unë e respektoj punën dhe punoj e s’ndalem asnjëherë. Kjo punë që e bëj unë, në fund kurorëzohet me të mira materiale. Pse jo? Toka është e klasit të parë dhe nuk ka perime që nuk bëhen.
Shihni, shton Ibrahim Berisha, – tash për tash kam të mbjellur 120 ari me grurë. Por, kam të mbjellur edhe 20 ari me mistër. Kam mal, luadhe, por pjesën më të madhe e më të mirë të tokës e kam mbjellur me perime. Këtu është fitimi. Nga kjo mund të jetohet dhe jemi të kënaqur. Kemi mbjellur speca, domate, patare, trunguj, lakra e perime të tjera, që kap një sipërfaqe prej 40 hari vend. Unë punoj dhe të gjitha këto perime i plasoj në treg. Fitoj nga këto sa për të mos i lakmuar të tjerëve që marrin botën në sy. Asgjë nuk fiton, nëse nuk punon. Punoj dhe kjo më sjellë të mira. Unë nuk ankohem. Punoj e fitoj. Këtë “zanat” e kam prej prindit, Faikut 82-vjeçar, i cili, edhe ai ka punuar natë e ditë për të pasur mirëqenie si të tjerët”.
Atë ditë kur e vizituam këtë punëtor nga Llashtica e Gjilanit, i lakmuam për ato serra të pasura me perime, të cilat ishin gati për të dhënë frytet e para. Pra, vetëm me punë të pakursyer, njeriu i krijon të mirat materiale edhe në fshat ku toka punohet dhe nuk lihet djerrinë e papunuar. /tefik selimi/rajonipress/


