Ahmeti: NATO-ja do t’i ulë tensionet në Maqedoni
Ali Ahmeti për Katimerine: Jam i bindur se tensionet do të ulen, sapo Shkupi të bëhet anëtare fuqiplotë e NATO-s. Gazeta greke “Katimerine” ka shkruar një artikull rreth Kumanovës dhe përfshirjes së Ali Ahmetit, në konfliktin e fundit atje.
“Derisa ka zgjatur konflikti në Kumanovë mes një grupi të armatosur dhe forcave policore, ish komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, tani kryetar i BDI-së Ali Ahmeti, ka negociuar me këtë grup të strehuar në Kumanovë. Ata kanë kërkuar nga Ahmeti që të ndërmjetësojë dhe më pas të largohen, por ai u ka thënë se duhet të dorëzohen”.
Kështu e ka nisur tekstin e vet, gazeta greke duke përcjell bisedën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, dedikuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.
Gazetari grek Stavors Ximas, ka marrë përgjigje madje nga kryetari i BDI-së Ahmeti se nuk ekzistojnë plane për Shqipëri të Madhe, ndërsa kur Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, atëherë do ulen tensionet.
Ahmeti ka thënë se ndodhitë në Kumanovë janë rezultat i pasigurisë rreth ardhmërisë euroatlantike të vendit dhe kjo u jep mundësinë apo justifikimin disa grupeve të shkaktojnë incidente, transmeton AlsatM.
“Ndodhitë në Kumanovë duhet të rishqyrtohen me pjesëmarrje të organizatave ndërkombëtare, ndoshta edhe të NATO-s”, deklaroi Ahmeti për gazetën greke “Katimerini”.
I pyetur nëse incidenti mund të reflektohet në marrëdhëniet ndëretnik, pra midis dy bashkësive etnike në vend, Ahmeti u përgjigj:
“Jam i bindur se tensionet do të ulen sapo Shkupi të bëhet anëtare fuqiplotë e NATO-s. Pasiguria dhe mungesa e paqartësisë në integrimet si dhe në përkushtimin e qëllimeve strategjike, shkaktojnë pasiguri edhe tek shqiptarët”.
“Ftoj vendet fqinje të marrin parasysh stabilitetin në rajon dhe të kontribuojnë në paqen dhe sigurinë me konstruktivitet mbi gjitha çështjet e hapura.”, tha Ahmeti.


