Hidromorava

Më shpejt me “pushime tatimore”

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Vendimi i 29 prillit i vitit të kaluar për pushime nga taksat për të gjitha investimet e reja, duhet që sa më shpejt të konkretizohet në praktikë. Kështu kanë thënë përfaqësues të bizneseve në vend, sipas të cilëve, pushimet tatimore për bizneset që investojnë një shumë të konsiderueshme, do të gjenerojnë vende të reja të punës dhe janë më se të domosdoshme.

Për këtë çështje është diskutuar ditë më parë edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputeti Besim Beqaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që së shpejti vendimi të konkretizohet në praktikë, pasi që, sipas tij, do të ndikonte në krijimin e ambientit më të favorshëm për bizneset si dhe për investitorët e huaj.

“Qeveria e Kosovës në programin legjislativ për vitin 2015 të përfshijë ndryshimin e Ligjit për Investime të Huaja në dy çështje. Propozohet ndryshimi i ligjit dhe të përfshijë edhe ndryshimin e emërtimit të ligjit dhe është propozuar për zhvendosjen e KIES-së, apo Zyrës për promovim të investimeve në Zyrën e kryeministrit. Qeverisë së Kosovës i kërkohet të zbatojë vendimin e datës 29 prill 2014 për pushimin e taksave për një periudhë të caktuar”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se vendimi për pushime tatimore do të ndihmonte prodhuesit vendorë, ndërkohë që do të ndikojë në tërheqjen e investimeve të huaja.

Mobi Casa

“Ne vazhdimisht avokojmë për përmirësimin e një mjedisi më të mirë të të bërit biznes në vend, e që në pikëpamje afatgjate do të ketë efektet e dëshiruara për arritjen e këtij qëllimi. Përpos thirrjeve tona për përmirësimin e politikave fiskale, ne në vazhdimësi kemi kërkuar edhe krijimin e politikave stimuluese për tërheqjen e investimeve në vend, sidomos në aspekt të krijimit të pushimeve tatimore. Shpresojmë se me amendamentimin e ligjeve tatimore do t’i hapet rrugë kësaj kërkese tonë, që të paktën Kosova të mundë të ofrojë lehtësirat e njëjta për investitorë si shtetet e rajonit”, ka thënë ai.

Ndërsa, Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, thotë se vendimi për pushimet tatimore për një kohë të caktuar është vendim i vonuar. Sipas tij, shumica e vendeve të rajonit e kanë një praktikë të tillë.

“Unë mendoj se është një vendim i vonuar. Shumica e vendeve të rajonit e praktikojnë një vendim të tillë dhe do të ndihmonte tej mase prodhuesit në vend. Është e dobishme se nëse investoj rreth 1 milion euro do të lirohen një vit, ato që investojnë 2 milionë të lirohen nga këto pagesa 2 vjet. Ky pushim krijon hapësirë më të madhe për me i rrit investimet. Se ne si kompani jemi të gatshëm të rrisim investimet”, ka thënë ai./zeri/