Specialja vë në sprovë Kosovën
Një javë para se Kuvendi i Kosovës t’i votojë amendamentet kushtetuese, që mundësojnë formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ligjvënësit kosovarë mbesin të përçarë rreth këtij tribunali. Derisa partitë e koalicionit deklarojnë se vota e tyre do të jetë pro Gjykatës, opozita mbetet e palëkundur, duke u deklaruar kundër kësaj Gjykate, e cila ekskluzivisht do të merret me krimet eventuale të UÇK-së ndaj popullsisë civile.
Në bazë të deklarimeve të deritanishme, kundër Speciales do të votojnë deputetët e tri partive opozitare (“Vetëvendosja”, AAK-ja dhe “Nisma”), si dhe tre deri në pesë deputetë të partive të koalicionit, që e vënë në pikëpyetje kalimin në Kuvend.
Megjithatë, analistët mbesin optimistë se partnerët e koalicionit do t’i sigurojnë mbi 80 vota që janë të mjaftueshme për miratimin e tyre. Sipas koalicionit, për Kosovën më e dëmshme është refuzimi për ta formuar këtë Gjykatë sesa dëmet që mund t’i shkaktojë ajo.
Në anën tjetër, deputetët e partive opozitare kanë thënë se përmes kësaj Gjykate po përpiqet që të barazohet lufta e UÇK-së me luftën kriminale të forcave serbe, prandaj kanë thënë se presin që Kuvendi do t’i hedhë poshtë këto amendamente./zeri/


