Anëtari i UÇK-së: Nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohemi
Një anëtar i UÇK-së në Maqedoni ka mohuar lajmin e përcjellë nga mediat maqedonase për dorëzimin e 20 personave të armatosur, të cilët kanë shkëmbyer zjarr me policinë.
Në një lidhje telefonike për “News 24”, anëtari i UÇK thotë se nuk është dorëzuar asnjë pjesëtar nga radhët e tyre.
Sipas tij, situata në Kumanovë vijon të jetë e tensionuar, duke u shprehur se përplasjet me Policinë maqedonase do të vijojnë edhe më tej, duke u bërë më të ashpra gjatë natës.
Ndërsa, thekson se “nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohemi”. Anëtari i UÇK-së thotë se ata janë vënë në mbrojtje të popullatës civile.
Duke komentuar situatën e sotme të krijuar në Kumanovë, ai thotë se nga shkëmbimet e zjarrit kanë humbur jetën tre civilë dhe katër policë. Ndërsa, flet edhe për mbi 20 policë të plagosur.


