Fatmir Arifi takon Nait Hasanin, i dorëzon peticionin me 8000 nënshkrime
Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës sot ia dorëzoi Parlamentit të Republikës së Kosovës peticionin me 8000 nënshkrime si provë materiale.
Një delegacion i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës me seli në Prishtinë, i kryesuar nga kryetari i saj, Fatmir Arifi, u prit nga kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport dhe Diasporë, Nait Hasani.
Me këtë rast Fatmir Arifi e njoftoi zotin Hasani për gjendjen e rëndë në Luginë të Preshevës, sidomos në sferën e arsimit, kulturës dhe shumë sfera të tjera shoqërore.
Në kuadër të këtij takimi tema bosht ishte ajo që Fatmir Arifi elaboroi fenomenin e fshirjes nga evidenca e ofiqarisë së qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga organet e sigurisë së qeverisë serbe dhe si pasoj humbjen e shtetësisë në mënyrë arbitrare.
Me këtë rast delegacioni nga Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës ia dorëzoi parlamentit të Republikës së Kosovës, si provë materiale, peticionin e nënshkruar nga 8000 qytetarë të Luginës së Preshevës kundër veprimeve të qeverisë serbe për fshirjen nga evidence të qytetarëve shqiptarë të Luginës.
Po ashtu Arifi theksoi se shumica e të zhvendosurve nga Lugina e Preshevës, të cilët janë strehuar në Republikën e Kosovës janë pa asnjë lloj dokumenti. Kjo ka krijuar telashe të mëdha edhe të brezi i ri, të cilët po kanë vështirësi në ndjekjen e shkollimit këtu në Kosovë.
Kryetari i Komisioni, Nait Hasani u zotua se këtë çështje do ta ngrisë në debatin parlamentarë që do të mbahet ditën e nesërme si dëshmi të një politike agresive të qeverisë serbe që po zhvillohet kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Bashkëbiseduesit ranë dakord që Luginës së Preshevës po i kanoset rreziku deri në atë shkallë sa që shqiptarët në hapësirën r tyre mundë të mbesin një minoritet i papërfillshëm thuhet në njoftimin e LILP./rajonipress/


