Raporti i Progresit, pozitë e opozitë me qëndrime të kundërta
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 ka vënë në pah ngecjet në disa sektorë të Kosovës. Përderisa ministrja Mimoza Kusari-Lila u ndal te mungesa e Kuvendit funksional dhe reformat e vonuara, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kritikoi gjendjen në shëndetësi, veçanërisht mungesën e barnave.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online vlerëson se funksionimi jo i plotë i Kuvendit gjatë dy viteve të fundit ka qenë një prej pengesave kryesore për avancimin e reformave.
Ajo thotë se, pavarësisht sfidave, Kosova ka shënuar progres në demokraci, sundim të ligjit dhe procesin e reformave.
“Unë jam e bindur se përcaktuesi më i mirë për raportin e progresit janë mendimet e qytetarëve në atë se si jetojnë në Kosovë. Kemi sfida të ndryshme, por sfida kryesore që e ka përcjellë vendin tonë për këto dy vite ka qenë mungesa e një Kuvendi funksional. Në një republikë parlamentare të kesh Kuvend jo funksional me të vërtetë që është ngarkesë, por gjithashtu edhe i lë mangët shumë reforma e shumë projektligje e vendime që do të mund të ishin në të mirë të qytetarëve”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se moskonstituimi i Kuvendit ka ndikuar drejtpërdrejt në raportin e këtij viti.
“Jam e bindur se sikur të kishim pasur Kuvendin me funksionalitet të plotë dhe Qeverinë me kompetencë të plotë do të kishim një raport tjetër. Megjithatë, do të kemi mundësi që bashkë me opozitën të diskutojmë në një pikë të veçantë rreth kësaj dite, e jo vetëm për këtë raport. Besoj se është shumë e rëndësishme që të lexohen dhe të shihen faktet ashtu si janë, edhe në krahasimet me vitet e tjera, edhe në krahasimet me vende të tjera. Ka progres Kosova në aspektin e demokracisë, në aspektin e sundimit të ligjit, në aspektin e procesit të reformave, por natyrisht se tash duhet rritur shpejtësinë e veprimeve të gjithë ne, në mënyrë që të kompensojmë për kohën e humbur sa nuk kishim Kuvend të konstituar”, deklaroi ajo.
Kusari-Lila u shpreh optimiste për raportin që do të bëhet për vitin 2027, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe zhvillimeve ndërkombëtare.
“Dua të besoj se vazhdimi i konstruktivitetit edhe me opozitën në Kuvend, por gjithashtu edhe i punës së mirë dhe dinamike të Qeverisë do të vazhdojë. Sa i përket vitit 2027, janë edhe disa sfida në aspektin gjeopolitik, të cilat uroj të jenë ndryshe, sidomos në konfliktin në Lindjen e Mesme, pastaj luftërat në Evropë që janë mes Rusisë dhe Ukrainës. Sikur të kishim një përmbyllje të suksesshme, unë besoj se efektet pozitive do të ndiheshin në aspektin ekonomik, në aspektin e sigurisë dhe në pjesët e tjera të kontinentit tonë edhe në Ballkanin Perëndimor. Por, jam më optimiste për vitin 2027 në përgjithësi”, tha Kusari-Lila.
Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj për Ekonomia Online pati një qasje dukshëm më kritike ndaj raportit, duke u ndalur veçanërisht te gjendja në sistemin shëndetësor.
Ai tha se, përkundër rritjes së buxhetit, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe të detyrohen t’i sigurojnë ato me shpenzimet e tyre.
Zemaj e cilësoi këtë si një nga dështimet më të mëdha të qeverisjes, duke përmendur edhe keqmenaxhimin, aferat korruptive dhe monopolin në sektorin farmaceutik.
“Ka shumë pika që janë evidentuar në raportin e progresit si mangësi të funksionimit institucional dhe si përgjithësi nga shumica ose nga qeveria, nga Lëvizja Vetëvendosje. Por ajo çka është për mua, mendoj, më e rëndësishmja, është mosfunksionimi i sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës, ku fillojmë nga parandalimi, por edhe ajo çka është më kritike, që qytetarët duhet vetë t’i blejnë barnat përkundër buxhetit të shtuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga Kuvendi i Kosovës. Kjo tregon që ka paaftësi të qeverisë, ka keqmenaxhim, afere korruptive dhe monopol mbi barnat e caktuara, që tash është më i njohur se ka dhe maffi farmaceutike edhe në nivel global, rajonal, por sidomos edhe në Kosovë, ku unë e kam ngritur në vazhdimësi këtë çështje dhe, fatkeqësisht, është evidentuar tash edhe në raportin e progresit për vitin 2025”, u shpreh Zemaj.
Përveç shëndetësisë, deputeti i LDK-së ngriti shqetësime edhe për sistemin e drejtësisë, politikat ekonomike, investimet dhe projektet kapitale.
Sipas tij, raporti evidenton probleme serioze që lidhen me ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura, veçanërisht në prokurori dhe gjykata.
“Nuk ka përgjegjësi shtetërore që në këtë fazë, ose në këtë vjet, raporti i progresit nuk i ka evidentuar si shkelje ose si ndërhyrje, qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë në politikat e investimeve, qoftë në mungesën e projekteve kapitale, qoftë në shpërndarjen buxhetore. Domethënë, ka shumë pika dhe ajo çka është më skandaloze është ajo që e kemi thënë dhe po thuhet në vazhdimësi: ndërhyrja në pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe sidomos në sistemin e drejtësisë, në prokurori dhe në gjykata. Tendenca e qeverisë, siç e dini, ka qenë që të kapë Këshillin Prokurorial, të kapë Këshillin Gjyqësor dhe t’i kthejë si instrument. Është diçka e cila ka ndodhur, por ne duhet ta luftojmë bashkërisht me qytetarët dhe ta ruajmë nivelin e demokracisë në vend”, deklaroi ai.
I pyetur për dallimet mes vlerësimit të Qeverisë dhe kritikave të opozitës, pasi raporti ishte cilësuar si më i mirë krahasuar me vitet e kaluara, Zemaj tha se dokumenti duhet parë si vlerësim për shtetin dhe jo si rezultat politik i një partie.
“Ne e kishim thënë, sepse ky është raport për Kosovën, nuk është raport që i takon një subjekti politik. Kishim dëshiruar që të jetë më i mirë, por, fatkeqësisht, është më i keq, me shumë kritika, me shumë vërejtje, të cilat mund të përkthehen edhe si përgjegjësi edhe si kërkesë e bërjes ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Domethënë, kritikat duhet të pranohen sa më lehtë dhe sa më shpejt që pranohen ato, mund të përmirësohen. Dhe ky do të ishte shembulli më i mirë i një qeverie e cila gëzon kredibilitet, por ka edhe vullnet politik që ta avancojë demokracinë, zhvillimin ekonomik, mirëqenien dhe sundimin e rendit e të ligjit në Republikën e Kosovës”, tha Zemaj.
Ndryshe, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026, në pjesën që i kushtohet Kosovës, evidenton ngecje në disa prej reformave kryesore që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Në dokument theksohet se sistemi gjyqësor nuk ka shënuar përparim, ndërsa rezultatet në luftën kundër korrupsionit mbeten të kufizuara. Po ashtu, përmenden krizat e njëpasnjëshme politike, të cilat kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve të vendit.
Komisioni Evropian vë në pah edhe rënien e numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, raporti evidenton zhvillime pozitive në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Sa i përket funksionimit të institucioneve, në raport thuhet se Kuvendi i Kosovës i ka ushtruar kompetencat me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja parlamentare ndaj Qeverisë ka qenë shumë e kufizuar.
Ndërkaq, në procesin e dialogut me Serbinë, Komisioni Evropian konstaton pak përparim dhe thekson se një numër i madh i detyrimeve të dakorduara ende nuk janë zbatuar.
Në tërësi, raporti paraqet një pasqyrë të përzier të progresit të Kosovës: me disa zhvillime pozitive, por edhe me sfida të theksuara institucionale, politike dhe në sundimin e ligjit, që vazhdojnë të mbeten pengesë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

