Shoqëria civile, partnere e rëndësishme për agjendën evropiane të Kosovës
Nga Bekim Çollaku – Gjatë javës që po e lëmë pas kisha kënaqësinë të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga shoqëria civile dhe të bashkëbisedojmë për procesin e integrimit evropian, i cili gëzon mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe spektri politik. Në këto forume kemi trajtuar tema të rëndësishme në kontekst të procesit të integrimit evropian dhe kontributin e rëndësishëm, të cilin po e ofron shoqëria civile.
E kuptoj që kur flasim për shoqërinë civile, sidomos për raportet me Qeverinë, ka një përshtypje sikur këto të dyja nuk shkojnë dhe nuk duhet të shkojnë bashkë, që ne kemi qëllime ose një vizion të kundërt me njëri-tjetrin. Unë nuk besoj se ky është realiteti. Ne mund të jemi në trase të ndryshme, por jemi në një rrugë të përbashkët dhe nëse ka një fushë, ku dëshmohet kjo, është pikërisht procesi i integrimit evropian. Ky proces përfaqëson një konsensus të gjerë publik dhe politik. Nuk po e them këtë për të argumentuar se gjithçka është në rregull – sepse nuk është – dhe ky është kuptimi i marrëdhënieve të shoqërisë civile dhe i Qeverisë. Nëse dëshirojmë që të ndërtojmë një shoqëri demokratike, ne gjithmonë duhet të kemi qytetarë, të cilët kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria dhe nxisin institucionet për t’u përmirësuar.
Një shoqëri demokratike kërkon shoqëri civile të fortë dhe aktive. Historia na tregon që përparimi njerëzor nuk është nxitur vetëm nga udhëheqësit e mëdhenj ose shtete, por nga njerëzit e zakonshëm, nga shoqëria civile, të cilët besojnë se ndryshimi pozitiv është i mundur. Pra nga qytetarët, të cilët pavarësisht pengesave dhe sfidave të mëdha, janë të gatshëm të ngrihen jo vetëm për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, por për t’i zgjeruar të drejtat e të tjerëve.
Dhe ajo çfarë e bën një shoqëri demokratike funksionale, çfarë e bën shtetin tonë të ri, Kosovën të veçantë, nuk është pajtueshmëria mbi atë se çfarë është në rregull, por përpjekjet tona të përbashkëta për të adresuar atë që nuk është në rregull. Që të kemi një hapësirë të hapur, ku me shoqërinë civile së bashku japin zgjidhje sfidave që ndihmojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tonë.
Ministria e Integrimit Evropian është e përkushtuar për të mbështetur pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse, jo vetëm si një nevojë e proceseve demokratike, por si një domosdoshmëri për politikat publike. Në këtë kontekst ne po zhvillojmë një dialog shumë konstruktiv dhe të hapur më shoqërinë civile në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe unë falënderoj organizatat e ndryshme joqeveritare për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të mbështetur një agjendë të interesit publik.
Krahas kësaj jemi duke punuar për t’i dhënë një shtytje të re angazhimit për anëtarësimin në OGP – Organizatën e Partneritetit për Qeverisje të Hapur. Ne jemi të zotuar, që përkundër progresit për anëtarësim në këtë organizatë, të zbatojmë njëanshëm Planin e Veprimit Kombëtar, i cili përmban 29 veprime dhe 41 nënveprime, që synojnë të fuqizojnë transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë.
Po ashtu, një përvojë shumë e mirë e konsultimit me shoqërinë civile ishte procesi i rishqyrtimit të Ligjit për Përgjimin e Telekomunikimeve. Nëse për hartimin e një ligji kaq të ndjeshëm ne kemi arritur të kemi një përfshirje cilësore dhe qasje konstruktive nga të gjithë aktorët, nuk mund të ketë ndonjë justifikim për të mos zbatuar qasje të ngjashme në proceset e tjera vendimmarrëse.
Të gjitha përpjekjet që po i bëjmë në rrugën tonë evropiane tani, sidomos me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, do të mundësojnë jo vetëm krijimin e një baze kontraktuale të fortë për bashkëpunim dhe përafrim të mëtutjeshëm mes BE-së dhe Kosovës, por edhe një hapësirë të re të avancimit të marrëdhënieve me shoqërinë civile.
Rrezikoj që të tingëllojë kontrovers, por e vërteta është që Kosova kurrë më herët nuk ka qenë më afër BE-së dhe nuk ka pasur më shumë shkëmbim, me qëllim të përafrimit të mëtutjeshëm, dhe kjo duhet të shërbejë si platformë e mirë për ta avancuar procesin edhe më tej, dhe në këtë drejtim roli i shoqërisë civile është i pazëvendësueshëm dhe qenësor.
(Autori është ministër i Integrimit Evropian)

