Hyseni: Vështirë për të ndriçuar atentatin ndaj Rugovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se për mungesë të fakteve nuk mund të nisë hetime për atentatin ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova që ka ndodhur në mars të vitit 2005.
Ky hetim, sipas Hysenit, duhet të udhëhiqet nga faktet e jo nga percepcionet.
Hyseni ka qenë së bashku me Rugovën kur ka ndodhur atentati.
Është pikërisht mungesa e dëshmive që po e pengon atë të nis hetimet ndaj atentatit që iu bë ish-Presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova në mars të vitit 2005.
“Kush do të ishte më i interesuar se unë ta zbuloj përpjekjen për atentat në Presidentin Rugova. Unë kam qenë i ulur në veturë me Presidentin Rugova dhe natyrisht nga tre ditë na ka ushtu koka nga detonimi i fortë. Mirëpo duhet të udhëhiqemi ekskluzivisht nga faktet, por jo nga percepsionet”, tha Hyseni në emisionin ‘Zona B’ në Klan Kosova.
Ministri i MPB-së tha në Zonën B se në Kosovë nuk ka organizata terroriste por ka individë që janë kyçur në forma të ndryshme.
“Nuk mund të themi që ka organizata terroriste në Kosovë. Dhe ju siguroj që nuk ka”, tha ai.
Sipas tij Kosova në këtë aspekt ka bërë përparim të dukshëm.
Hyseni tha se Kosova i ka përmbushur shumicën e kritereve për liberalizim të vizave.


