Pakicat kombëtare do të kenë mediat e veta
Medvegjë/Nish – Këshillat e pakicave kombëtare do të mund të formojnë mediat e veta pas 1 korrikut kur përfundon financimi i mediave nga buxheti i vetëqeverisjeve lokale, ka deklaruar në Nish sekretari shtetëror i Ministrisë së kulturës dhe informimit, Sasha Mirkoviq.
“Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që Këshillat kombëtarë të pakicave kombëtare mund të formojnë mediat e veta nëpërmes fondacioneve. Financimi i këtyre mediave nuk do të ketë asnjë lidhje me financimin në bazë të projektit, ai do të zhvillohet nëpërmes kanalit të veçantë, në përputhje me Ligjin mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare”, ka thënë Mirkoviq në tubimin dedikuar aplikimit të ligjeve të reja mediale.
Mirkoviq ka theksuar se mediat të cilat kanë formuar këshillat e pakicave kombëtare do të vazhdojë të funksionojnë si deri më tani, ndërsa sipas njohurive të tij, interesim për themelimin e mediumit të vetë ka treguar vetëm Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve. (mepress.info)


