Bashkëpunimi shterp
Plot dymbëdhjetë marrëveshje i kanë arritur, të hënën, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët që e kanë zhvilluar në Tiranë. Shumë sosh kishin firmosur një vit më parë, por kurrgjë nga to nuk është realizuar.
Prizreni ishte përzgjedhur për të mbajtur mbledhjen e parë të përbashkët. Marrëveshja për bashkëpunim strategjik ishte firmosur para monumentit të Lidhjes Shqiptare. Me simbolika patriotizmi është organizuar tash, edhe e dyta në Tiranë. Një sallë mbledhjesh e improvizuar në Pallatin e Kongreseve, është dominuar nga e kuqja dhe e zeza, dhe për dekor kishte një hartë pa kufij ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Lutfi Dervishi ligjëron në departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Tek i është referuar mbledhjes së përbashkët, ai i ka thënë gazetës se politika e gjesteve ka domethënien e vet, por ka shprehur drojën se në takimet e fundit më shumë mbizotëron forma se sa përmbajta. Ka thënë të ketë një kujdes të tepruar për sloganet, për imazhin, për efektet televizive dhe më pak thelb dhe shqetësim për bilancin që do të duhet të bëhet vitin e ardhshëm./koha/


