Bajrami raporton skandalin e diplomave
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka pranuar të mërkurën para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Arsim se në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë ka pasur regjistrime të parregullta të studentëve.
Duke folur në lidhje me skandalin e publikuar javë më parë në gazetën “Zëri”, bazuar në një dosje të Prokurorisë Themelore të Pejës, se nga ky Fakultet dyshohet se janë lëshuar 503 diploma false gjatë periudhës 1999-2004, Bajrami ka sqaruar se për rastin e Pejës janë angazhuar më shumë se dhjetë inspektorë, të cilët, siç ka thënë ai, kanë punuar 12-14 orë në ditë për të bërë inspektim të plotë për këto raste.
“Edhe në këto momente ata po punojnë. Më shumë se 205 lëndë janë kryer me emër dhe mbiemër, dhe kemi konstatuar se nga këto 205 raste sa kanë arritur të inspektohen ka dalë se 125 nga këto raste janë të padiplomuar, 21 raste nuk janë kompletuar dosjet, përkatësisht u mungojnë dosjet, por nuk ka dëshmi të diplomimit, 17 raste janë të diplomuar dhe kanë diploma valide, dhe 13 raste ende s’janë kompletuar sa i përket çështjes së diplomimit”, ka sqaruar Bajrami./zeri/


