Hidromorava

Rëndësia historike e UÇK-së

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Fitim Rifati – Ekspansioni dhe gjenocidi shtetëror serb ndaj shqiptarëve e viseve të tyre mori formë zyrtare në vitin 1844 me platformën “Naçertania” (“Projekti”) të Ilia Garashaninit. Gjatë Luftës Ruse-Osmane te viteve 1877-1878 dhe Luftërave Ballkanike (1912-1913) ky program po realizohej konkretisht. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) me vendimet e saj dëmtoi rëndë shqiptarët dhe tokat e tyre. Kosova dhe vise të tjera shqiptare iu ndanë mbretërive të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Mirëpo, ideali i lirisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar vazhdoi të mbetet aspiratë e forcave progresiste shqiptare me perspektivë kombëtare. Që nga ajo kohë në skenën politike shqiptare, sikurse në viset e pushtuara, u paraqitën forca e rryma, të cilat për qëllim kishin çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Në këtë vazhdë, pa dyshim, në dekadën e fundit të shekullit XX vend meritor zen paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që kishte për synim të fundit çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Ajo ishte forcë e organizuar ushtarako-politike me karakter dhe fizionomi mbarëkombëtare, që për qëllim pati çlirimin e Kosovës nga pushteti arbitrar, ushtarako-policor e violent serbo-jugosllav, i cili eliminonte çdo lëvizje atdhetare përmes metodave të dhunës psiko-fizike deri te asgjësimi etnik.

UÇK, e cila publikisht veproi në vitet 1997-1999, ishte forcë e restauruar, produkt konvergjent i gjeneratave të tëra dhe i një plejade atdhetarësh nga profile të ndryshme në simetri dhe lidhje organike me forca të tjera kombëtare në periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar. Ajo ishte manifestim i vullnetit metafizik të një populli të aftë, fisnik dhe liridashës, e cila bëri jehonë te ky popull dhe nga përmasat ballkanike, evropiane dhe botërore grumbulloi e mobilizoi në radhët e saj bijtë dhe bijat më të mira, më të besueshëm, më të devotshëm, me ndërgjegje kombëtare e ndjenja atdhetare, që paepur luftuan denjësisht dhe me entuziazëm homogjen vunë jetën e tyre në altarin e lirisë.

Me kompaktësinë e forcave materiale dhe morale, UÇK e ushtroi aktivitetin e saj në etapa të shkallëzuara, duke e ekspozuar atë nga materializimi i idesë së luftës së armatosur, sensibilizimi i ndërgjegjes kombëtare në nivel të përgjegjësisë historike, fillimi i atentateve sporadike kundër stacioneve dhe policisë serbo-jugosllave, formimi i njësiteve të vogla guerile, krijimi i reparteve të organizuara, brigadave, shtabit të përgjithshëm, drejtorisë politike dhe funksionimi i shtatë zonave operative.

Historia e UÇK-s tregoi se pengesa kryesore për çlirimin e Kosovës nuk vinte vetëm nga Serbia, por edhe nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, i cili kishte disponim për të ruajtur status-quonë. UÇK provoi gjithashtu se brenda vendit realizimi i programit të saj mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike.

Eco Higjiena

Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha më demokratike të botës, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes së Kosovës, siç ishin SHBA-të dhe aleatët e saj evropian.

UÇK dhe lufta e saj e drejtë provuan para faktorit ndërkombëtar se populli shqiptar është i gatshëm të mbrojë trungun e tij dhe të sakrifikojë gjithçka vetëm të frymojë dhe zhvillohet i lirë në territorin e vet. Në këtë kontekst, shembulli më konkret, ndër rastet fenomen në historinë më të re të njerëzimit, ishte lufta dhe rënia heroike e drejtuesit të UÇK-s, Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz, ndërsa në skenën e gjenocidit me masakrën e Reçakut dhe shumë masakra të tjera, u thye teza se shqiptarët do të mund të ekzistonin dhe jetonin të bashkuar dhe të dakorduar me aparatin shtetëror serbo-jugosllav, i cili zbatonte aparteid ndaj popullit shqiptar në të gjitha fushat e jetës.

Prandaj, UÇK reflektoi në thyerjen e antinomisë së organeve vendimmarrëse të faktorit ndërkombëtar dhe lëvizi barometrin diplomatik të tyre, duke demaskuar politikën e prepotencës, represionit, brutalitetit psiko-fizik, vrasjeve masive, kulturocidit deri në gjenocidin sistematik që pushteti serbo-jugosllav ushtroi ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke shërbyer kështu si argument dhe arsyetim para faktorit ndërkombëtar për të intervenuar ushtarakisht kundër forcave serbo-jugosllave.

Në arenën e luftës, pavarësisht dallimeve në arsenalin e armëve dhe numrit të ushtarëve, UÇK dha rezultate në dekadencën e ushtrisë dhe policisë serbo-jugosllave në Kosovë, e gozhdoi dhe sfidoi atë në beteja e përballje të ndryshme, por pati edhe humbje të ndjeshme në luftëtarë, civil të ekzekutuar dhe mijëra të zhdukur. Ndonëse ishte e vetmja forcë që mbrojti dhe u kujdes për popullsinë e pambrojtur, siç shprehej në atë kohë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton “NATO dhe UÇK bënë që Millosheviqi të nënshtrohet”. Prandaj në kushtet dhe rrethanat rënduese në të cilat veproi UÇK, lufta për çlirimin e Kosovës nuk mund të mbështetej veçse në forcat e saj dhe nuk mund t’ia arrinte qëllimit e vetëm, por me intervenimin e NATO-s, realizimi i këtij qëllimi u bë realitet.

Absurdi teorik për të klasifikuar dhe quajtur “konflikt” luftën në Kosovë gjatë viteve 1997-1999, konsiderojmë se është tendencë për të parcalizuar dhe për t`i dhënë karakter fiktiv e diskreditues luftës së drejtë të UÇK-s. Në përputhje me të gjitha konditat dhe kushtet shkencore e historike për një dukuri të tillë, vlerësojmë se ajo ishte një luftë e pamohueshme.

Për sa më sipër, mund të përfundojmë se rëndësia historike e UÇK-s qëndron në faktin se:
1. UÇK lindi dhe u formua si ushtri e popullit dhe shtetit të Kosovës.
2. Ajo bëri që SHBA-të me aleatët evropian të fitojnë besimin dhe bashkëpunimin e saj në luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës.
3. UÇK dhe çlirimi i Kosovës shënojnë një ngjarje me rëndësi jetike për popullin shqiptar, sepse mbyllën një epokë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën serbo-jugosllave dhe për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut.
4. Lufta e drejtë e UÇK-s dhe çlirimi i Kosovës, përfaqësojnë fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare në gjeografinë e Evropës Juglindore dhe të atdhetarëve shqiptarë kudo në botë. Kjo luftë po ashtu i dha shtytje shqiptarëve në Serbi e Maqedoni, që sipas shembullit të Kosovës, të zhvillojnë luftë çlirimtare.
5. Si hallkë e fortë në zinxhirin e ngjarjeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, UÇK shënoi një hap cilësor në farkëtimin dhe avancimin e platformës politike kombëtare shqiptare dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
6. UÇK hapi një kapitull të ri dhe krijoi premisat që më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova të shpallet e pavarur, demokratike dhe të fitojë njohjen e mbështetjen nga shtetet dhe forcat më demokratike të botës. Ky akt njëherazi shënon ngjarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar, pas 28 Nëntorit të vitit 1912, duke reflektuar në premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve e popullit të Kosovës dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit.
7. Në optikën e platformës së Rilindjes Kombëtare, formimi i shtetit të Kosovës objektivisht ka krijuar premisat për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Evropën Juglindore, si çështje ende me tipare të një problemi të pazgjidhur evropian.
8. Lufta e UÇK-s ka përçuar një mesazh në politikën botërore se atdhedashuria shqiptare nuk paraqet asgjë shoviniste, ekspansioniste a ksenofobe ndaj popujve e kombeve të tjera, por synon të afirmojë vlera krahas popujve dhe kombeve të përparuara, të plotësojë një detyrë e të drejtë historike kombëtare dhe njëkohësisht të rrojë në paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjithë./rajonipress/