MAPL e MMPH: Vendimi i Mikiqit s’është valid
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), nëpërmjet një komunikate të përbashkët kanë bërë me dije se vendimi i kryetarit të Ranillugut për emërtimin rrugëve nuk është në fuqi.
Komunikata e plotë e dy ministrive:
Vendimi i Kuvendit të Komunës Nr. 02/086/2014 datë 25 shtator 2014 është miratuar në Kuvendin e Komunës. Në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-071 për Sistemin e Adresave, Njësia për sistemin e adresave në kuadër të Agjensionit Kadastral të Kosovës, ka kundërshtuar përmbajtjen e vendimit dhe listën e emërtimeve, menjëherë pas miratimit, për shkak që përmban emra të rrugëve të papranueshme dhe po ashtu janë bërë shkelje teknike në formatin e planifikuar te vendosjes së tabelave.
– Po ashtu, lidhur me këtë vendim, kryetari i Komunës së Ranillugut bazuar në nenin 58 (pika k) të Ligjit Nr. 03/L-040 Për Vetëqeverisje Lokale, dispozitat e mbrojtjes së komuniteteve, e ka konsideruar këtë vendim të papranueshëm dhe i ka kërkuar me shkrim Kuvendit Komunal rishqyrtimin e vendimit dhe përmirësimin e tij duke përjashtuar propozimet lidhur me emrat e disa rrugëve.
– Në vazhdim, Kuvendi Komunal ka planifikuar mbajtën e mbledhjes për shqyrtimin e këtyre vërejtjeve dhe kjo pritet të ndodh në mbledhjen e radhës.
MAPL dhe MMPH në mënyrë të vazhdueshme, kanë monitoruar dhe po e vazhdojnë këtë proces që nga momenti i aprovimit në Kuvendin Komunal për t’u siguruar që ky Vendim i Kuvendit të Komunës së Ranillugut të harmonizohet me dispozitat e ligjit për sistemin e adresave si dhe akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
Prandaj, ky vendim nuk është në fuqi por në procedurë të rishqyrtimit, ashtu siç është përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-071 për Sistemin e Adresave si dhe Ligjin Nr. 03/L-040 Për Vetëqeverisje Lokale. MAPL dhe MMPH nënvizojnë se në rast të mosrespektimit të rekomandimeve të Agjensionit Kadastral dhe Kryetarit të Komunës, ndaj Kuvendit Komunal do të marr masat përkatëse ligjore.


