Mustafa në Tiranë: Kosova ka nevojë për njohje të reja
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur sot në Tiranë homologun e tij nga Kosova, Isa Mustafa. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Mustafa në Shqipëri, që pas zgjedhjes së tij si kryeministër i vendit.
Pas pritjes ceremoniale dhe një takimi të përbashkët, Edi Rama dhe Isa Mustafa dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp ku ritheksuan forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, sidomos në aspektin ekonomik.
Sa i përket mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, kryeministri Rama tha se është vendosur të mbahet në Tiranë më 23 mars.
Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje do të analizohen marrëveshjet që janë arritur deri më tani, zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të tjera përmes marrëveshjeve të reja që do të nënshkruhen nga dikastere të ndryshme.
“Ndajmë së bashku mendimin se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, janë të shkëlqyera dhe vëllazërore, dhe se partneriteti strategjik mes dy shteteve tona i institucionalizuar në mbledhjen e Prizrenit në 11 janar 2014 është një instrument themeltar që përcakton dhe do të përcaktojë në vijimësi peshën e faktorit shqiptar në rajon. Diskutuam edhe për ecurinë e përgatitjeve për mbledhjen e dytë të përbashkët e cila do të mbahet më 23 mars të këtij viti këtu në Tiranë”, ka thënë Rama gjatë konferencës me homologun Mustafa.
Ndërsa kryeministri Mustafa në fjalën e tij u ndal në njohjet e reja të Kosovës, duke vlerësuar mbështetjen që ka dhënë Shqipëria në këtë aspekt, por e konsideroi të nevojshme vijimin e procesit të njohjeve, sidomos nga vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur.
“Përkrahja juaj që keni dhënë sa i përket njohjes së Kosovës nga vende të tjera e konsiderojmë si përkrahje të veçantë, sepse Kosova ka nevojë që në këto momente të njihet nga më shumë vende, sidomos nga vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur”, ka thënë ndër tjerash kryeministri Mustafa.
Të dy homologët folën edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe projektet e përbashkëta në këtë fushë, të cilat do të marrin një rëndësi të madhe edhe në mbledhjen e dytë që do të mbahet në fund të këtij muaji. /Telegrafi/


