Komuna ndihmon në realizimin e kërkesave të banorëve vitias
Viti – Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë gjatë këtyre ditëve ka vazhduar me përmbushjen e kërkesave të këshillave të fshatrave dhe të banorëve për shtruarjen e rrugëve të dëmtuara me zhavorr ku në deri me tash janë shtruar disa rrugë dhe atë në fshatin Sadovinë Jerlive dhe Beguncë. Po ashtu është punuar edhe në pastrimin e lumit “Gërçarica” në fshatin Gjylekar të Vitisë dhe atë me qëllim që në të ardhmen të parandalohet përmbytja e tokave bujqësore.
Nexhmedin Jakupi, Drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë tha se Komuna e Vitisë, në vazhdimësi do të përkujdesët për rrugët e dëmtuara në të gjitha lokalitetet por duke theksuar se këtë do ta bëjnë sipas mundësive buxhetore. “Këtyre ditëve kemi intervenuar në shtruarjen me zhavorr të disa rrugëve në lokalitet e ndryshme ku kryesisht rrugët kanë qenë në gjendje jo të mirë edhe në ditët në vijim do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Shtruarja e këtyre rrugëve ka ardhur pas kërkesave që i kanë bërë Këshillat e fshatrave por edhe duke u bazuar në gjendjen ekzistuese të rrugëve në fjalë” u shpreh Jakupi.
Ai po ashtu bëri të ditur se DSHPE, ka intervenuar edhe në pastrimin e lumit “Gërçarica” në Gjylekar nga mbeturina dhe prurjet erozive që sipas tij kanë bërë devijimin e ujit nga shtrati dhe si pasoj e kësaj janë vërshuar më parë shumë toka bujqësore.
Jakupi potencoi se kjo është bërë me qëllim që në të ardhmen të parandalohet vërshimi i tokave bujqësore dhe nënvizoj se për të bërë një zgjidhje afatgjate nevojitët një investim më i madh në pastrimin e tërësishëm të shtratit të lumit. /rajonipress/


