ARKATANA

Blerand, korrupsioni po e përmbys shtetin, jo lindjet!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lavdim Hamidi – Pasi e ka zhvilluar sektorin e bujqësisë, si rezultat i së cilës rritja ekonomike e vendit po i arrin majat, Blerand Stavileci ka një mal me arsye që t’i mbajë ligjërata familjeve kosovare se sa fëmijë duhet t’i kenë, nëse pagat e tyre nuk janë më të larta se 300 euro.

Deklarata të tilla pa dyshim se janë të pritshme nga një ministër naiv, i cili është pjesë e dështimeve institucionale që pagat mesatare të kosovarëve edhe më tutje janë rreth 300 euro dhe shumica e qytetarëve janë të papunë e të varfër dhe si rezultat i kësaj dhjetëra mijëra veta ia kanë mësyrë ilegalisht Evropës.

Bujqësia është sektori ku do të duhej të hapeshin vende të shumta të reja të punës, por që kjo nuk ka ndodhur deri më tani, ndonëse këtë sektor për një mandat e ka drejtuar pikërisht Blerand Stavileci, tashmë ekspert për planifikim familjar.

Tregjet e Kosovës vazhdojnë të jenë të vërshuara nga prodhimet e importit dhe nuk ka asnjë kulturë të vetme bujqësore me të cilën plotësohen nevojat e tregut të brendshëm e mos të flasim për eksport e as për cilësi të prodhimeve vendore.

Fundja si mund të ketë cilësi të prodhimeve vendore kur në vend të bujqve, subvencione nga Ministria e Bujqësisë thuhet se kanë marrë shumë persona jomeritorë, të cilët kanë përfituar fonde qeveritare vetëm për faktin se janë aktivistë apo aktiviste të partisë së Stavilecit.
Pa u lëshuar në spekulime që përfliten gjithandej se edhe disa modele të njohura kosovare kanë përfituar subvencione për bujqësi nga ministri Stavileci!

E mos të flasim për skandalin tjetër me traktorë, ku për një të tillë Ministria, që drejtohej nga Blerand Stavileci, shpenzoi 52 mijë euro, të cilët pasi u janë ndarë disa “fermerëve”, këta të fundit i kanë shitur për gjysmë çmimi.

***

Pas këtyre të “arriturave” me bujqësinë kosovare, Stavilecit filloi t’i duket vetja “supermen”. Ai nisi të flasë për planifikim familjarë, sikur të ishte ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, apo i Shëndetësisë, duke harruar që për disa muaj zhvillimi ekonomik i vendit është barrë institucionale mbi “supet e tij”.

Uji Dea

Mirëpo, për zhvillimin ekonomik, për skandalet në sektorin e energjisë dhe të minierave më së paku dëshiron të flasë Stavileci.

Ky i fundit nuk po e sheh të arsyeshme edhe më tutje të reagojë as për skandalin e publikuar nga gazeta “Zëri” për njehsorët elektrikë “Kohler”, të cilët u vërtetua se po i plaçkitin mijëra konsumatorë të KEDS-it.

Edhe nëse distribucioni ka vite që është privatizuar, ministri i Zhvillimit Ekonomik nuk guxon t’i mbyllë sytë karshi plaçkitjes që kompania turke ua bën qytetarëve të Kosovës. Ai, madje, do të duhej të ishte i pari që ta ngrejë zërin për këtë çështje, duke i kërkuar kompanisë t’i kompensojë vjedhjet astronomike që po u bëhen rreth 25 mijë konsumatorëve.

***

Kjo heshtje e Blerandit karshi plaçkës, që po u ndodh konsumatorëve të energjisë elektrike, pa dyshim se është edhe rezultat i mungesës së reagimit qytetar.
Sikur për këtë hajni të kishte reagime të tilla sikur që pati për deklaratat e tij të fundit se sa fëmijë duhet t’i kenë çiftet kosovare, çështje shumë më periferike sesa plaçka financiare që po u bëhet konsumatorëve të energjisë elektrike, atëherë kompensimi financiar nga kompania turke tashmë do t’i takonte të së kaluarës dhe njehsorët e tillë qysh moti do të ishin zëvendësuar.

Reagimet munguan edhe për dyshimet për korrupsion në tenderin prej 6.2 milionësh të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilin e fitoi kompania e afërt më kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe që po hetohet nga EULEX-i.

Po t’i bëhej presion Blerandit për skandalet e tilla në sektorin e energjisë, ai me siguri nuk do të gjente hapësirë të na mbante “ders” se si duhet kosovarët ta planifikojnë familjen. Por, do ta planifikonte dorëheqjen për shkak të presionit qytetar.