UBT

Kosova – Poligoni për të gjithë e për gjithçka

/ 10 minuta lexim
ARKATANA

Nga Shefik Shkodra – Utilitarizmi tashmë është prodhim i rrjedhave historike edhe te ne shqiptarët. Kjo dukuri shfaqet në vendet në transicion, më tepër të shoqëruara me kriza politike e ekonomike se sa për ndërrim sistemesh. Të dala nga pësimet diktatoriale e me vështirësitë për çlirim nga uniformizmi kolektiv. Të tilla vende e popuj ishin të shumtë deri në ditët e sotme. Çlirimi i tyre i vonshëm ka ngec në paralelizmat e zhvillimit të vetvetes në të gjithë lëmenjtë e jetës. Do të thotë, nuk e kanë arritur standardin e zhvillimit ekonomik, politik, arsimor e kulturor.

Dhe sërish ndodhen në varshmëri prej dikujt tjetër. Një ngecje shumë të madhe e pësuan popujt e vendeve afrikane dhe ato aziatike. Nuk mund të thuhet se edhe një pjesë më e kufizuar e Evropës ishin më mirë. Në kontinentin tonë një përjetim të tillë e pësuam shumë keq ne shqiptarët, duke mbetur pjesa më e madhe nën diktatin e të huajit. Por në përgjithësi, as në anën tjetër, edhe sistemi monist nuk solli mjaft përparësi e barazi për të gjithë. Përvetësimet e mësimit e të kaluarës në postmonizëm u përcollën deri në ditët e sotme edhe pas më tepër se një dekade e gjysmë në Kosovë.

Dora e ligë historikisht e trashëguar

Pasojën më të madhe e trashëguam nga perandoritë e ndryshme që i shkelën trojet tona, si ajo e Perandorisë Osmane, e cila me sundimin e saj të gjatë, nuk lejoi që ky popull të arsimohet në gjuhë të vet. Mos arsimimi i solli të gjitha mbrapshtitë. Menjëherë pas kësaj, këto troje i trashëgoi një perandori pak më e vogël (Serbia), por mjaft e vrazhdët. Shqiptarët nën sundimin e saj vijuan jetën pa arsimim deri pas LDB. U shfrytëzuan si kafsha. U etiketuan si majmunë “me bishta”, ashtu qysh e kanë shpreh mllefin gjorgjeviqët e sa e sa të tjerë para e pas tij. Nuk dua ta shpjegoj ecurinë e luftës në Kosovë të fundshekullit të njëzetë. Edhe pas mbarimit të saj, lodhja ishte e madhe e popullit. Një pjesë të ikur në vendet perëndimore dhe në anë të ndryshme botërore, po si ata brenda ishin të gatshëm dhe sakrifikuan për një çlirim definitiv.

Kjo na u bë e mundshme me iniciativë e qëndresë të vetë qytetarëve, por ndihmën kryesore na e dhanë vendet evropiane, Amerika dhe gjithë bota demokratike. Pas çlirimit mbetëm nën protektoratin e KB-ra. Por, kjo qeveri e instaluar nga kombe të ndryshme nuk ndihmoi shumë, për të mos thënë, shumë çështje i deformoi në atë masë sa la gjurmë të keqe. Ata sikur nuk patën një program e plan për zhvillim të suksesshëm. Madje, sikur ishin pa kurrfarë komande. Ngecja ishte e dukshme, sidomos në ekonominë e vendit, por edhe në administratë dhe në të gjitha segmentet e jetës shoqërore. Afër mendjes, askush nuk ua ka prish “tiktakun” në ritëm. Të ardhura të begatshme.

Besa edhe femra të mira pa frikë. Qetësi absolute! Sepse, ne kemi trashëguar përshtatshmërinë. Madje, si dorë e ligë gjeneratë pas gjenerate. Dhe, ‘nëse unë jam mirë, s’ka dert për të tjerët’. Kjo është një farë mënyre – individualizëm. Shkëputje e menjëhershme nga idealet e deridjeshme. Ngjajnë edhe si synime të paplanifikuara për mbarë
shoqërinë e për shtetin. Kur dikush flet për një gabim, tjetri nuk mund ta pranoj, sepse është i preokupuar me rehatinë e vet absolute të përshtatur…

Të fshihet projekti i Ahtisarit

Një dozë fudullëku, por edhe injorance shkaktoi ç’integrim gjeografikisht në Kosovë. Dëmi vijon vazhdë me njolla të pa fshirë, ishte Plani (fantom) i Aftisarit, finlandezin që e emëruan KB-ra për një kushtetutë të përkohshme. Ky projekt u dha të drejtë më të madhe minoritetit serb se sa shqiptarëve, të cilët kishin luftuar për çlirim dhe vetëqeverisje. Këtu nuk e mohojmë të drejtën e askujt, por kjo është keqpërdorë. Sërish nis një luftë nacional-shoviniste e serbëve. Dhe gradualisht po e forcojnë shtetin e tyre në Kosovë. Dhe ky projekt është shkaktari që bëri ndarjen e komunave. Politika e Serbisë është “gënjeshtra” si zakonisht.

Brenda është enklava për të cilën është investuar jo veç nga Serbia e qeveritë e Kosovës, por edhe nga evropianët që t’i bashkohen shtetit të Serbisë, duke përfituar beneficione të ndryshme, gjithnjë duke aluduar se një herë do ta pranojnë shtetin e Kosovës. Por jo! Pa paguar asnjë faturë dhe pa e pranuar këtë shtet në asnjë mënyrë. Edhe tash qeveritë e Beogradit nuk i lejojnë serbët që ta pranojnë shtetin e Kosovës. Në bisedime kërkojnë kushtëzime: nëse nuk lejohet “lista srpska” në disa institucione, si qeveritar bie fjala për t’i ofenduar shqiptarët (shprehje që i trashëguan nga paraardhësit e tyre të shek. XIX e XX), atëherë le të lejohet e të futet në një institucion por të rëndësishëm, si në AKI. Nëse edhe këtu i çelin vetë, nuk besoj se shqiptari në Kosovë ka kurrfarë pushteti. Nga ky projekt (i Afhtisarit) është dashur të largohemi. Pavarësisht, se në KS të KB-ra bëhet lojë e një baras-peshe të interesit strategjik…dhe Kosova mbetet ende lëmë e kujtdo!

Para se të bëjmë shtetin u ngutëm për vetëkënaqësi

Uji Dea

Në vend se zyrtarët tanë t’i rezistojnë shfaqjeve problematike, si bie fjala për do farë fortifikimesh nacional-shoviniste në veri, enklavat serbe, por edhe propaganda të ndryshme politike, më me entuziazëm shqiptarët nisen tregtinë, pasurimin dhe ahengjet për veten e tyre. Sikur e lanë punën e shtet-ndërtimit. Të lidhur me “biznesmenët” (dikush edhe me serbët e veriut e të enklavave) pushtetarët tanë vepruan krejt si diktohej prej të tjerëve, veç mos të bien prej karriges.

Nuk mbeti asgjë transparente për qytetarët. U shit e u ble…?! Veç një dihet, nuk u përgjigj askush pavarësisht fajeve. Pas luftës i kemi sulmuar rininë me drogë…Kosova u bë rrugëkryq i “mallit”, të shumtën Azi – Evropë. Dhe sërish ngarkohet Kosova edhe pse, si duket burimet për këtë tregti vlojnë më shumë nga ato vende që po kritikojnë. Një vjen e thotë, mirë jeni, do të bëheni më mirë. Një tjetër del e thotë, ju i keni fajet si kosovarë, s’ka në Evropë pa ngjalljen e ekonomisë, rritjen e vendeve të punës, bisedimet me Serbinë, etj. Zyrtarët tanë nuk mund të thonë asgjë. Sepse janë lajthitur.

Nuk kanë reaguar (s’kanë guxuar për arsye që i dinë vetë) kur i kanë parë pjesëtarë të KB-ra në gabime, apo më vonë, konvertimi i tyre në EULEX, e që si duket, nuk ishin aq të pastër. Ajo që ishte më me rëndësi, nuk kryen asnjë një punë me gjithë ato shpenzime, nga të cilët qytetarët kanë shpresuar. Serbia ushtron diktat me njerëzit e
vet brenda. Bën fortifikime rreth Kosovës çdo ditë. Kush është më në krizë tash? Të jashtmit apo zyrtarët tanë? Ashiqare këta të fundit peshojnë më rëndë si udhëheqës të këtij vendi.

Janë bërë pyetje për shumëçka edhe për ushqimin e shëndetin

Janë trajtuar mjaft çështje politike, ekonomike, juridike, arsimore e kulturore, por përgjigjet kanë qenë të mangëta. Të themi se po bëjmë diçka, sikur të gjitha i kemi për bukuri. Qe ligji (punë e mirë) për kufizimin e duhanit: ‘Lëne vëllezër duhanin se na mbyti!’ në anën tjetër, importojnë për qytetarët tanë artikuj ushqimor të dyshuar për cilësi nga Serbia. Nuk dihet fare se çka konsumojmë. Dikush hedh parullën se, artikujt ushqimor nga ky vend vijnë të prodhuar enkas për Kosovën.

Kjo mund të jetë vetëm një propagandë me karakter ekonomik e politik, por, cili është ai që mund të jetë i rehatshëm?! Serbia nuk mban fjalë. Nuk është shtet human. Përkundrazi, është vend kriminel në çdo kohë, sidomos kur është fjala me shqiptarët e Kosovës. Në pauzën e vet pa luftë me armë të zjarrta e ushtri, luftën e bën me forca nëpër diplomatike nëpër Evropë e botë. Serbia lufton në heshtje, me mjete tjera të panjohura për opinionin tonë…personalisht nuk ma mbush mendjen kush se, Serbia nuk e provon çdo të keqe kundër shqiptarëve. E shqiptarët, me “zalloga”, përditë kanë lidhje tregtie, mbase edhe falso me ata që e kanë tiranizuar gjatë këtë vend. Sikur po dëgjohet kohëve të fundit, me atë (ato) firmën e famshme për krunde në vend të miellit. E pa besueshme, por çdo gjë e mundshme.

Këtu hyn e del kush të dojë – s’ka kontroll

Tashmë, Kosova, në vend se të largohej prej të papriturave, iu vunë themelet që në fillim të një poligoni për ushtrime gjithfarësh të çokujt, përveç qytetarëve të ndershëm e atyre të cilët e dëshironin dhe e paramendonin një shtet me ligje, me ekonomi të zhvilluar, me punësim e shëndetësi për të gjithë. Si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Askush nuk mund të thotë se nuk duhet të merremi me tregti, me përfitime, sepse kështu është tregu i lirë. Por, jo gjithsesi me pa kompetencë e përgjegjësi të harxhohet paraja e këtij mileti kaq të varfër. Këtu s’bëhet vetëm tregtia e mallrave, por edhe i informatave (sidomos për armiqtë) dhe me këtë kemi qenë në humbje përherë.

Vonesa e jonë është kushtëzuar edhe nga padronët, por shpesh i kemi ndihmuar vetë. Dhe kjo ka lejuar të zhvillohen të gjitha fëlliqësitë. Të gjitha falsifikimet. Të gjitha shfrytëzimet. Krejt populli lodër ka mbetur. Nga udhëheqës të papërgjegjshëm e të pamoralshëm, njerëzit janë thyer shpirtërisht. Në fillim LDK e mori pushtetin, këta që e quajnë vetën shumë demokrat (edhe ashtu mund të jenë një pjesë), por një pjesë e tyre ishte vazhdimësi e lëkurës së monizmit. Asaj nuk mund t’i iknin. U instaluan në pushtetin lokal dhe vepruan ashtu si është më keq, në mënyrë diskrete e panlaveriste.

Krejt me nepotizëm. Si ia ka marrë mendja e shëndoshë çfarëdo ka ditur apo s’ka ditur gjë. Kështu vijuan edhe pasardhësit (PDK), duke u futur edhe më shumë në gabime, si në pushtetin lokal edhe në atë qendror./rajonipress/