Drejtësia me kunja
Nga Milaim Shefkiu – Nuk e di nëse mund të konsiderohet triumf apo dorëzim në betejë, Marrëveshja për Drejtësinë që u arrit të martën në mëngjes në Bruksel, për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës. Të dy negociuesit, Isa Mustafa dhe Aleksader Vuçiq, u deklaruan si triumfues, po ashtu, të suksesshëm. Marrëveshjen e vlerësoi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherin. Për këtë të fundit padyshim që kjo është e rëndësishme sepse për herë të parë, në karrierën e saj diplomatike, pleqëron një marrëveshje ndërmjet dy palëve me urrejtjen më të madhe në Ballkan
Ndërsa, për Kosovën nuk do të jetë ndonjë e arritur historike, kjo për faktin se u rinegociua edhe një herë Pakoja e Ahtisarit, dokumenti bazë mbi të cilën është ndërtuar pavarësia e Kosovës. Sipas Ahtisarit, sistemi gjyqësor në Kosovë duhet të mbetet unik, jo i decentralizuar në baza etnike, sikurse doli nga Marrëveshja e së martës.
Edhe kjo e fundit, si të gjitha marrëveshjet tjera të Brukselit që kanë kaluar nëpër mjegull, kaloi pa detaje shtesë. Akoma nuk është konfirmuar, të paktën zyrtarisht, se si do të zgjidhen prokurorët dhe gjyqtarët në gjykatën e veriut, kush do t’i emërojë ata, cili do të jetë roli i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, cili do të jetë roli i Serbisë dhe kujt do t’i japin llogari gjyqtarët dhe prokurorët serbë.
Të gjitha këto do të mbesin enigmë për qytetarët, derisa nuk deklarohet kryeministri Mustafa, zëvendëskryeministri Thaçi, i ashtuquajturi koordinator i bisedimeve Blerim Shala ose dhe vetë znj. Mogherini, se çka është nënshkruar nga dy kryeministrat.
Pala kosovare foli vetëm për numrin e prokurorëve dhe të gjyqtarëve që do të jenë 18, gjysma shqiptarë dhe gjysma serbë. Kjo nënkupton se gjykata (edhe fizikisht me dy ndërtesa) është ndarë përgjysmë, ndërsa nuk dihet se si do t’ia bëjnë me të pandehurit, shqiptarët dhe serbët – kush do t’i gjykojë.
Në Beograd ndërkaq, marrëveshja u konsiderua fitore historike, pasi që kryetari i Gjykatës do të jenë serbë dhe gjysma e gjyqtarëve serbë nga veriu.
Është e natyrshme që për Serbinë kjo është fitore legjendare, sepse po merr diçka që nuk e ka asnjë komunitet pakicë në botë që ka 5 për qind të strukturës demografike.
Përveç që arriti ta thyejë tabunë (Pakon e Ahtisarit), të përzihet në çështjet e brendshme në Kosovë, Serbia “invadoi” në sistemin gjyqësor, sikurse në politikë me Listën “Srpska”.
Pse konsiderohet fitore e Serbisë?
Vetëm 100 kilometra larg prej Mitrovicës së veriut, ku do të jetë gjykata shumetnike, është Lugina e Preshevës, e banuar me shqiptarë. Imagjinojeni se çka bën Qeveria e Aleksader Vuçiqit në Preshevë dhe Bujanoc. Nga Presheva e ka hequr Gjykatën Themelore dhe e ka lënë vetmen atë për Kundërvajtje, ndërsa në Bujanoc, po ashtu e ka lënë vetëm Gjykatën Themelore, ndërsa Prokurorinë Komunale e ka transferuar në Vranjë. Pra ua ka hequr shqiptarëve nga duart edhe atë pak drejtësi që ka pasur. Atje nuk ekziston standardi i njëjtë sikurse me Kosovën, por një standard dhjetëfish më i reduktuar.
Në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë janë tre gjyqtarë, njëri prej tyre është serb, ndërsa struktura demografike është 97 për qind shqiptarë, 2 për qind serbë dhe 1 për qind romë.
Në Bujanoc, ku shqiptarët janë po ashtu shumicë mbi 65 për qind, punojnë 12 gjyqtarë në Gjykatën Themelore, prej tyre 8 janë serbë, 4 janë shqiptarë. Kurse në Njësinë Prokuroriale të Bujanocit që funksionon në Vranjë, vetëm tre shqiptarë nga të dy komunat e Luginës, punojnë si zëvendësprokurorë, pra jo prokurorë.
Prandaj është e natyrshme që kryeministri Vuçiq ta konsiderojë këtë si fitore legjendare, sepse përveç Asociacionit të Komunave Serbe (Zajednica), i cili do të ketë një buxhet sa një e treta e gjithë Kosovës, me një sistem policor gati të pavarur, tash edhe me drejtësinë e zyrtarizuar nga BE-ja, veriu i Kosovës do të ketë një autonomi të zgjeruar.
Është e kotë se si perceptohet kjo nga Prishtina, sepse faktet flasin të kundërtën. Në katër komunat e veriut nuk ka integrim në institucionet e Kosovës, por ka riafrim të veriut me Serbinë.
Është shumë parimore, që në këto bisedime të Brukselit të diskutohet edhe për Luginën e Preshevës, sepse fundi i fundit, koncepti dialogues me ndërmjetësimin e BE-së, nënkupton relaksimin e raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe jo Kosovës me Serbinë. E këtu nuk nënkupton që serbëve në Kosovë t’u krijohet standardi mondan i pakicave e shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’u eliminohen edhe të drejtat bazë. E nëse kryeministri Isa Mustafa e qet në tavolinën e bisedimeve edhe çështjen e Luginës, duke kërkuar të njëjtin standard në gjykatë, administratë, politikë, arsim, kulturë e gjuhë, kjo nënkupton se loja zhvillohet fer dhe se rezultati del remi. Në të kundërtën, çdo marrëveshje që e forcon autonominë e serbëve në veriun e Kosovës, është sikurse ai kunji në zall, sa herë që e lëviz hyn më thellë.


