Vërshimet në Gjilan dëmtuan 3 ura
Gjilan – Rexhep Kadriu pohoi se dëme të mëdha nëpër shtëpi nuk ka pasur, pos një rasti në fshatin Dobërqan, ku nga shembja e dheut i është dëmtuar shtëpia një qytetari familja e të cilit është evakuuar, ndërsa ka shtuar se dëmet më të mëdha janë në 3 ura në Goden, Përlepnicë dhe Sllubicë, si pasojë e degradimit të shtretërve të lumenjve nga qytetarët e pandërgjegjshëm, ndaj të cilëve tha se do të merren masa të ashpra ndëshkuese.
Për të dhënë më shumë detaje lidhur me vërshimet në komunën e Gjilanit pas reshjeve të mëdha të datës 6 shkurt, nënkryetari Rexhep Kadriu ka mbajtur sot konferencë për media, ku të pranishëm ishin edhe Halit Rexhepi – drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ramiz Ramadani – drejtor i Bujqësisë dhe Sokol Haziri – drejtor i Shërbimeve Publike.
Nënkryetari Kadriu ka informuar se me të nisur vërshimet është mbledhur Shtabi i emergjencave i Komunës, i ka marrë të gjitha masat duke dalë në terren në të gjitha lokacionet, ku është intervenuar në 30 raste gjatë tërë natës së 7 shkurtit.
Kadriu pohoi se dëme të mëdha nëpër shtëpi nuk ka pasur, pos një rasti në fshatin Dobërqan, ku nga shembja e dheut i është dëmtuar shtëpia një qytetari familja e të cilit është evakuuar, ndërsa ka shtuar se dëmet më të mëdha janë në 3 ura në Goden, Përlepnicë dhe Sllubicë, si pasojë e degradimit të shtretërve të lumenjve nga qytetarët e pandërgjegjshëm, ndaj të cilëve tha se do të merren masa të ashpra ndëshkuese.
Nënkryetari Kadriu ka shtuar se pas reshjeve të mëdha është ngritur në maksimum niveli i ujit në pendën e Përlepnicës, duke shtuar se kryetari Haziri me ekipin e tij do të bëjë çmos që me anë të ndihmës së qeverisë të ndërtohet një kapërderdhëse.
Ai ka informuar se me vendim të kryetarit janë formuar dy komisione: njëri për vlerësimin e dëmeve dhe tjetri për strategjinë për trajtimin e lumenjve të degraduar.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Halit Rexhepi ka thënë se së bashku me Shërbimin e Zjarrëfikësve, Policinë e Kosovës, kompaninë “Hidromorava” dhe atë “Higjiena” kanë bërë gjithçka që është e mundshme duke u dalë në ndihmë qytetarëve sipas kërkesave të qytetarëve.
Ai tha se intervenime ka pasur në disa përrocka e lumenj në fshatrat e Karadakut – Zhegër, Lladovë, Nasalë, e Stanqiq, pastaj në Livoq të Ulët, Velekincë, Kuvcë, Shillovë, Përlepnicë, Kmetoc, sikurse edhe në disa raste në qytet.
Drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani ka konstatuar se nuk ka pasur dëme të mëdha në kulturat bujqësore, pos në fshatin Malishevë dhe Uglarë, derisa ka shtuar se gjatë ditëve në vijim do të dihet saktë vlera e dëmeve.
Nga ana e tij, drejtori i Shërbimeve Publike, infrastrukturës dhe Banimit, Sokol Haziri, tha para gazetarëve se për momentin janë duke intervenuar në fshatin Stanqiq për ta larguar dheun nga rruga dhe në një lagje në Goden, ku si pasojë e prishjes së urës janë bllokuar 5 familje, duke shfaqur shpresën se sot do të eliminohen këto probleme.
Për fund, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu tha se në ditët në vijim do të dihet zyrtarisht vlera e dëmeve dhe do të bëhet publike, ndërsa ka shfaqur shpresën se dëmet do të sanohen me ndihmën e qeverisë së Kosovës./rajonipress/


