Reagon Bajrushi: Trishtuese dhe e dhimbshme ikja e qytetarëve nga Artana
Gjilan – Nënkryetari i Artanës Bajrush Ymeri thotë se ajo që i ka shtyrë qytetarët e vendit të ikin është mungesa e mundësive të punësimit, mundësitë e vogla për shkollimin e fëmijëve të tyre, pakënaqësia me institucionet shëndetësore, e shumë mangësi e nevoja të tjera të jetës në Kosovë.
Sipas nënkryetarit të Komunës, Bajrush Ymeri, ky lloj eksodi është shqetësues dhe i dhimbshëm, ngase siç thotë ai, është trishtuese kur i sheh njerëzit që kanë humbur shpresën në institucionet e vendit. “Ne, gjatë udhëheqjes së qeverisë komunale kemi investuar mjaft në infrastrukturë për të krijuar kushte më të mira për jetesë, por nuk kemi arritur të investojmë shumë në zhvillimin ekonomik, sepse fatkeqësisht nga niveli lokal nuk kemi pasur mundësitë që të bëjmë më shumë se që kemi bërë”, ka thënë ai.
Ymeri tha se zhvillimi ekonomik ka qenë obligim i ish- Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila, sipas tij, “fatkeqësisht për dy mandate të tëra, asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht këtë problem, prandaj sot e kemi pasojën – shpërnguljen e qytetarëve drejt vendeve perëndimore.
Sipas Ymerit ajo që i ka shtyrë qytetarët e vendit të ikin është mungesa e mundësive të punësimit, mundësitë e vogla për shkollimin e fëmijëve të tyre, pakënaqësia me institucionet shëndetësore, e shumë mangësi e nevoja të tjera të jetës në Kosovë.
“U bëjë thirrje të gjithë kosovarëve, sidomos qytetarëve të Komunës së Artanës, që mos të marrin këto rrugë të mundimshme e jo të sigurta dhe të kenë besim në Qeverinë e re të Republikës, prioritet i të cilës besoj se do të jetë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i kushteve më të mira për jetesë” ka shtuar Ymeri./rajonipress/

