Alarm, shteti po zbrazet!
Nga Enis Veliu – Ikjet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës për në vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian (BE), por edhe më larg, edhe më shumë do ta dëmtojë Kosovën, si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik.
Në opsionin e parë, Kosova edhe më shumë do të dëmtohet, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave, pasi që fluksi i qytetarëve që ia mësyjë rrugëve ilegale të Evropës është në rritje e sipër.
Shumë prej tyre që kanë ikur nëpër vende të BE-së janë vendosur nëpër kampe, gjendja e të cilëve është e mjerueshme. Por, edhe një pjesë janë vendosur ilegalisht te të afërmit e tyre që kanë pasur atje.
E në aspektin ekonomik, shumë prej tyre që kanë ikur, kanë mbyllur bizneset, por edhe një numër i madh i tyre nuk kanë paguar as edhe kreditë nëpër bankat komerciale në vend, dhe kanë ikur për të gjetur një jetë më të mirë.
Situata ekonomike në vend, gjithnjë e më shumë po keqësohet, e që po konsiderohet si problemi kryesor i ikjes masive të qytetarëve nga shteti i tyre.
Madje, madje, së fundi rrugën e emigrimit ilegal po e marrin e dhe qytetarët që kanë qenë të punësuar në institucione publike, por edhe private, të cilët me pagën që kanë marrë nuk kanë mundur të sigurojnë mirëqenie stabile për veten, e për familjet e tyre as që bëhej fjalë.
Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve që qytetarët i kanë Administratës Tatimore të Kosovës, Doganës së Kosovës, kompanive publike, si dhe borxheve tjera shtetërore nga mbarimi i luftës e deri në fund të vitit 2008, sado pak do të ndikojë në stabilizimin (heqjen e obligimeve) të shumë familjeve, që çdo ditë përballen në luftë me ekzistencën.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës përmes formave të ndryshme sa më shpejt që është e mundur duhet të krijojë vende të reja pune, e vetmja mundësi për ta stopuar emigrimin ilegal.
Edhe më tutje mbetet paradoksale se më shumë se një miliard euro të Fondit Pensional, por edhe më shumë se 500 milionë euro të privatizimit, ndodhen nëpër banka të shteteve të zhvilluara evropiane, e qytetarët që kanë dhënë ato para jetojnë sikur në shtete të varfra afrikane.
Qytetarët po ikin nga shteti i tyre sepse janë lodhur nga problemet e mëdha që ata po ballafaqohen thuajse çdo ditë.
Në banka komerciale në vend aktualisht norma e interesit në kredi është rreth 10 për qind, e ndërkaq norma e interesit në depozita gati 20 herë më e vogël. E për institucione mikrofinanciare më mirë është të mos flasim hiç pasi që shumica e tyre që nga konsolidimi, por edhe sot e tutje, e luajnë rolin e fajdexhinjve, ku norma e interesit në kredi është 25 për qind.
Qytetarët e këtij shteti janë lodhur nga faturat e larta të energjisë elektrike, nga faturat e larta të ujësjellësit dhe shërbimeve tjera publike në vend.
E nëse edhe më tutje fluksi i qytetarëve që ikin nga Kosova nëpër vende të ndryshme të BE-së vazhdon të mbetet i njëjtë, atëherë në një të ardhme të shpejtë, shteti më i ri në Evropë do të zbrazet në tërësi, e diçka e tillë nuk është pritur nga askush.
Në mungesë të vendeve të reja të punës, në mungesë të perspektivës dhe një mirëqenieje normale, qytetarët e këtij shteti kanë humbur shpresën. Ata janë mbështetur për muri e për shumicën prej tyre emigrimi ilegal mbetet zgjidhje e vetme.
Nuk është shumë larg që në shtetin tonë në një ardhme të shpejtë do të mbeten dhe do të jetojnë komod vetëm serbët, të cilët në vazhdimësi ndihmohen nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, si dhe qeveritarët që bëjnë jetë luksi me para të taksapaguesve.
Ndërkaq, të tjerët në vazhdimësi do të gjejnë alternativa për t’iu bashkangjitur të afërmve të tyre që gjenden nëpër kampe të ndryshme të refugjatëve të BE-së.


