Eko Higjiena

Valentina Smajli, polemikë me kryetarin e Federatës Islame të Zvicrës

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Akti terrorist i 7 janarit në Paris ka ngjallur debate jo vetëm në mes të shoqërisë shumicë vendëse (të krishterë) dhe asaj pakicë, myslimane, me prejardhje të huaj. Debati është bartur edhe në mesin e besimtarëve myslimanë, gjegjësisht organizatave që i përfaqësojnë ata, madje, jo atyre që njihen për qëndrime ekstreme.

Në gazetën Neue Luzerner Zeitung, në numrin e sotëm janë vënë përballë nënkryetarja e Forumit për Islam Progresiv (FFI), aktivistja shqiptare Valentina Smajli dhe kryetari i Federatës së Bashkësive Islame të Zvicrës (Fids) Hisham Maizar.

Valentina Smajli për këtë gazetë thotë se nevojitet më shumë vigjilencë. Ajo kërkon nga Shërbimi Informativ Federal që pas atentatit në Paris t`i përforcojë aktivitetet kundër dhunës me motivim islamik. “Edhe në Zvicër myslimanët radikalë nëpër rrjetet sociale si facebook-u etj. ndjellin rregullisht urrejtje kundër secilit që nuk e përqafon 100 për qind ideologjinë e tyre”.

Për këtë arsye Smajli thotë se shoqatat islamike duhet të marrin detyrimet e tyre . “Ato duhet të distancohen nga këto apele dhe të shikojnë më për së afërmi kush hyn dhe del nga xhamitë dhe se çfarë predikuesish nga jashtë angazhojnë”. Ajo madje mund të imagjinojë po ashtu që të obligohen imamët që personat e dyshuar t`i denoncojnë në organet e rendit. “Shoqatat duhet të kujdesen për rend në radhët e veta dhe që t`i përjashtojnë ekstremistët”, thotë Smajli.

FIDANISHTJA

Por, Hisham Maizar nuk pajtohet me qëndrimin e nënkryetares së Forumit për Islam Progresiv. “Kërkesa që bën ajo, tregon se nuk e ka idenë se çfarë ndodh në qendrat islamike”. Fids prej kohësh merret në mënyrë intensive me të rinjtë, në mënyrë që ata në asnjë rrethanë të mos marrin rrugën e ekstremizmit, ka thënë Maizar. Fids sensibilizon shkollat dhe familjet lidhur me radikalizmin e mundshëm dhe bashkëpunon edhe me policinë. Sipas tij, lista e angazhimeve është e gjatë dhe është shumë e njohur për autoritetet.

Kundër këtij pohimi, Valentina Smajli thotë se “fjalët tingëllojnë mirë por pas tyre duhet të pasojnë veprimet”. Ajo thotë se e ka përjetuar vetë që organizatat islamike dhe imamët e tyre kanë provuar t`i përjashtojnë nga debati femrat që nuk kanë pasur shami në kokë. Veç kësaj është e vështirë që të mbikëqyren aktivitetet e xhamive dhe faltoreve të ndryshme. “Transparenca mungon në tërësi – po ashtu edhe për myslimanët”, thotë Smajli.

albinfo.ch