Ibrahim Rexhepi: Degradim i Buxhetit, më shumë mjete për paga se për investime
Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se Qeveria PDK-LDK i ka bërë edhe një degradim të ri buxhetit të Kosovës duke ndarë mjete më shumë për paga se për investime. Sipas tij, s’do të ketë punësime të mëdha në shifra qysh kanë premtuar Isa Mustafa e Hashim Thaçi. Rexhepi thotë se sindikatat duhet të kërkojnë zbatimin e Kontratës Kolektive dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për pensione e jo rritje të pagave prej 25 përqind.
Isa Mustafa ka premtuar 120 mijë vende të reja pune e Thaçi 200 mijë. Sa realisht mund të realizojnë këto premtime, tash të dytë kur janë bërë bashkë në Qeveri?
I. Rexhepi: Nëse bazohem çka kemi përjetuar sivjet, edhe me buxhetin e vitit 2015, atëherë është vështirë të pritet, së paku, minimumi i këtyre premtimeve të përmbushen. Nuk është lehtë të parashikohet se çka do të ndodhë në katër vitet e ardhshme. As Qeveria e re nuk ka paraqitur një strategji afatgjate dhe nuk dihet se cilat do të jenë synimet dhe prioritete e saj kryesore. Premtimet e këtyre dy partive kanë qenë thjeshtë premtime elektorale, të cilat nuk janë inkorporuar në program qeveritar.
Sa janë mundësitë reale për rritjen e pagave? 5, 10 apo 15, sepse 25 përqind nuk do të ketë?
I. Rexhepi: Edhe rritja e pagave nuk duhet të jetë prioritet kryesor i Qeverisë. Meqenëse, ka pasur një rritje të pagave para shtatë-tetë muajsh, inflacioni është shumë i ulët dhe nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim, i cili ka mundur të ndikojë në mirëqenien sociale, së paku te të punësuarit në sektorin publik. Qeveria më shumë duhet të fokusohet se si të rritet mirëqenie e gjithë qytetarëve të Kosovës e jo të mendojë vetëm për ata njerëz që marrin paga prej buxhetit të Shtetit. Për më keqe, rritja e pagave do të shkonte në dëm të zhvillimit, përkatësisht, në uljen e potencialit të investimeve publike.
Sindikatat po kërcënojnë me protesta dhe greva nëse nuk realizohen premtimet elektorale?
I. Rexhepi: 80 mijë punëtorë janë të punësuar në sektorin publik sepse numri në tërësi i të punësuarve është shumë më i madh. Një numër i tyre është edhe në fushën joformale. Mirëpo, pafuqia e sindikatave kryesisht reflekton mosorganizimin e tyre. Ato nuk paraqesin një zë, një fuqi, por janë bukur shkapërderdhura. Kështu që, në raport me Qeverinë, Sindikatat nuk mund të ketë rolin e partneritetit të fuqishëm. Tjetra, sindikata duhet të insistojnë së pari te Kontrata kolektive, te zbatimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore dhe funksionalizimin e Këshillit Ekonomik-Social dhe aty të bëjnë presion. Kërkesa e tyre këmbëngulëse për rritje pagash është e pakuptueshme.
Sa është bazë për zhvillimin ekonomik të këtij vendi projektbuxheti i cili kaloi në lexim të parë në Kuvend?
I. Rexhepi: Ky projektbuxhet ndryshe mund të shihet vetëm në rrafshin negativ. Për herë të parë niveli i pagave kalon investimet. Buxheti është kryesisht i orientuar kah segmentet sociale. Pagat dhe subvencionet për pensione dhe të tjerët dominojnë buxhetin. Është buxhet që nuk synon zhvillim, meqenëse, nuk parasheh ndonjë projekt të ri, por, kryesisht vazhdimësinë e projekteve në infrastrukturë. Nuk ka ndonjë ofertë tjetër ose ndonjë synim për zhvillimin e sektorëve tjerë ekonomik.
Pra, ka pësuar degradim edhe më të madh planifikimin buxhetor?
I. Rexhepi: Struktura buxhetore është më e keqe se viteve të kaluara. Për herë të parë totali i shpenzimeve për paga është më i madh se totali i mjeteve për investime. Ky buxhet është buxhet që financon konsumin dhe jo zhvillimin./indeksonline/


