Krasniqi: Kosova nuk ka kapacitet për rritje pagash
Drejtori i buxhetit në Ministrinë e Financave, Agim Krasniqi, shuan shpresat e mësimdhënësve, punëtorëve shëndetësorë dhe shërbyesve civilë për rritje pagash. “Kosova realisht nuk ka asnjë kapacitet për t’i rritur pagat çdo vit nga 25 për qind”, ka thënë Krasniqi.
Drejtori i buxhetit thotë se nuk ka pasur planifikim për rritje të pagave për 25 për qind as nga qeveria e kaluar e as nga kjo e tashmja, ka thënë drejtori i buxhetit Krasniqi. Arsyeja sipas tij është e thjeshtë, hapësirë të lirë për rritje të pagave nuk ka pasur.
“Realisht nuk ka asnjë kapacitet që Kosova me i rrit pagat nga 25 për qind çdo vit. Nuk ka. Përkundër që mund të ketë dikush vullnet apo dëshirë. Asnjë mundësi e tillë nuk ekziston. Fare. Prej tash nuk ekziston. Për arsye se po ti rrisim çdo vit nga 25 për qind, më nuk ke çka merë, e tejkalojmë edhe mundësinë që e kemi në buxhet për investime. Nuk ka mundësi”, tha ai për RTK.
Krasniqi poashtu tha se nuk është planifikuar zbatimi i Kontratës Kolektive:
“Në këtë buxhet të miratuar nga qeveria e kaluar dhe rikthyer në qeveri edhe dërguar në Kuvend, planifikime të tilla nuk ka. Megjithatë, ministri bashkë me sindikatën kanë diskutuar dhe po i shikojnë mundësitë që kur të flitet për Kontratën Kolektive, e cila ka shumë elemente që janë në Ligjin për paga dhe Ligjin për shërbimin civil, ti kryejmë obligimet të cilat janë ligjore.”
Drejtori i buxhetit tha se mundësitë janë shumë të vogla për plotësim të projektbuxhetit, i cili kaloi në leximin e parë në Kuvend. Kjo për faktin se mbi 90 për qind e buxhetit është i zotuar, prandaj për ndryshime duhet pritur vitin pasues. /RTK/


