Eko Higjiena

Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arbana Xharra – Edi Rama ka ftuar këtë javë gazetarët në një pritje me rastin e Vitit të Ri. Kryeministri i Shqipërisë mbajti aty një fjalim me spica për punën e gazetarëve të Tiranës. U tha se aty ishin të ftuar edhe gazetarë nga Kosova. Por, Rama e përmendi vetëm një emër: të pashmangshmin Baton Haxhiu të cilin e quajti me humor “ekspert për Serbinë” (në Tiranë) dhe “ekspert për Shqipërinë” (në Beograd).

Nuk e quajti gazetar, por “ekspert”, që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Ajo që binte në sy në pritjen për gazetarë në Tiranë: nuk u ftuan dy gazetat kryesore të Kosovës – “Zëri” dhe “Koha Ditore”, dy të përditshme me histori bukur të lavdishme në shtypin në gjuhën shqipe të Kosovës dhe me referenca të rëndësishme në mediet ndërkombëtare.

Uji Dea

Jo që përgjegjësve të gazetave kryesore të Kosovës u ka mbetur merak të jenë në sallonin e shpifur të Edi Ramës, por seleksionimi skandaloz që kabineti i kryeministrit të Shqipërisë u bën gazetarëve të Kosovës është fyerje për publicistikën e pavarur të Kosovës, e cila – na falni për mungesë modestie! – ka një traditë të ndritshme. Skandali bëhet edhe më i madh nëse listën e gazetarëve të Kosovës që duhet ftuar dhe të atyre që duhet përjashtuar e ka bërë ndonjë person jashtë zyrës së kryeministrit të Shqipërisë.

Nesër Edi Rama do të vijë në Prishtinë, siç thuhet, në një debat me mediet dhe shoqërinë civile. Ky takim i tij nuk meriton asgjë më shumë përveç se bojkotim nga gazetarët e pavarur të Kosovës. Le të luajë lojëra të ndyra Edi Rama me “gazetarët” e tij, në fakt me ata që i vardisen për interesa antigazetarie.