Fundamenti

Teatri i Gjilanit vjen pas tri ditësh me premierën “Mbledhje në Parlament”

/ 2 minuta lexim
United Hospital

Gjilan – Teatri i Gjilanit do të vijë javën tjetër me premierën “Mbledhje në Parlament”, me tekst të Rej Konej (Ray Cooney) dhe regji të Ekrem Sopit, që është një dramë universale e situatave, por që përkon shumë me realitetin kosovar.

Ali Demi, drejtor i Teatrit të Qytetit, ka thënë se kushtet aspak të mira për teatrot në Kosovë, njësoj edhe për këtë në Gjilan, kanë vendosur për t`i sfiduar me dramën “Mbledhje në Parlament”, me shpresë se e ardhmja do të ndryshojë jo vetëm për teatrin, por edhe për shoqërinë tonë në përgjithësi.

Ekrem Sopi, regjisor i dramës, tha se “Mbledhje në Parlament” pasqyron një realitet më të zbutur se ai ekzistues në Kosovë. Ky tekst është zgjedhur për t`i përqeshur përmes artit të metat në shoqërinë tonë, ndonëse nuk është i shkruar për realitetin kosovar, ka thënë Sopi.

Mobi Casa

Sipas Sopit, 90 minutat e kësaj shfaqje, që premierë jepet më 28 dhjetor, do të jenë koha më e vlefshme e këtij viti për shumëkënd në Kosovë që vendos ta shoh “Mbledhje në Parlament”.

Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë, tha se Teatri i Gjilanit do ta ketë mbështetjen e institucioneve komunale, i bindur se edhe Teatri do ta arsyetojë me punë këtë mbështetje. “Për një teatër që punon, do të gjenden gjithmonë mjete”, ka thënë Haziri.

Aktori Avni Shkodra, bartës i rolit kryesore, tha se e ka dhënë maksimumin prej vetes që të realizojë sa më mirë rolin e ministrit, që simbolizon politikanin e kohës sonë.
Në rolet tjera paraqiten Naser Zymberi, Tringa Hasani dhe Egzona Salihu./rajonipress/