Vitia organizohet për të ndihmuar familjet skamnore
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka mbajtur sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Këshillave të fshatrave dhe të organizatave jo qeveritare të cilat veprojnë në Viti me qëllim që të organizohet një aksion për mbledhjen e të mirave materiale për qytetarët në nevojë të kësaj komune në stinën e dimrit.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti potencoi se duke i bashkuar forcat është e mundur që sadopak të lehtësojmë dhe ndihmojmë bashkëqytetarët tanë të cilët kanë nevoja të mëdha. “Gjatë këtij viti është bërë një punë e madhe që t`i ndihmojmë njerëzve në nevojë dhe fal angazhimit të të gjithëve në Komunën tonë janë ndërtuar me dhjetëra shtëpi për skamnorët. Por me qenë se jemi në stinën e dimrit dhe kemi familje të shumta të cilët kanë mungesë të gjërave elementare është mirë që ne t`i bashkojmë forcat dhe të punojmë bashkërisht që ata që kanë mundësi të japin diçka nga të mirat materiale për këto familje” u shpreh Haliti.
Ai kërkoj nga përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare, shoqatave bamirëse dhe përfaqësuesve të këshillave të fshatrave që të bashkëpunojnë dhe të evidentojnë rastet në nevojë dhe të angazhohen që të bëhet mbledhja e të mirave materiale nëpër lokalitete dhe të cilat do të ju shpërndahen ka fundi i këtij muaji familjeve me gjendje të vështirë ekonomike.
Ndërkaq pjesëmarrësit e këtij takimi e mirëpriten propozimin e kryetarit Haliti duke nënvizuar se ata do të bashkëpunojnë në këtë drejtim.
Të pranishmit në këtë takim u pajtuan që të bëhet vetëm grumbullimi i të mirave materiale dhe ushqimore, por jo edhe para të gatshme.
Pas grumbullimit të këtyre gjërave nëpër lokalitetet e kësaj komune do të bëhet shpërndarja e saj nëpër familjet skamnore. /rajonipress/


