Eko Higjiena

Behxhet Maloku – “roja” e bustit Agim Ramadani…

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – I madh e i vogël zhegras e njohin Behxhet Malokun i ardhur nga Selishta e Malësisë së Karadakut. Ai është një “hero” i ditëve tona. Ai, edhe pse ka moshë 80-vjeçare, punon e s’ndalet. Punon në shtëpi, por punon dhe i ndihmon djalit, Naserit, në kioskun e tij që gjendet në afërsi të shkollës së fshatit Zhegër.

Ky është njeri urtak, i drejtë, fjalë pak e punë shumë. Siç dihet, Behxheti Maloku, më parë ka punuar si punëtor ndihmës në shkollën e këtij lokaliteti. Tash e sa vjet është në pension. Por, edhe pas këtij “pushimi”, ai punon dhe punën e respekton. Behxhetin e njohin shumë arsimtarët e shkollarët të kësaj qendre fshatare të Karadakut.

E njohin më tepër si njeri të mirë. Ai punën e bën punë. Pse jo? Ai, sot, edhe në këtë moshë të shtyrë, gjen kohë jo vetëm t’i ndihmojë djalit të tij, Naseri, por bën edhe punë tjetra. Puna “tjetër” e tij është përkujdesja ndaj bustit Agim Ramadani që gjendet në qendër të fshatit Zhegër.

Ai në kioskun e djalit shet shkollarëve fletore, lapsa, lëngje e “sende” tjera. Kjo është jeta e tij. E, shkollarët e mirë e dojnë shumë, xha Behxhetin. Shpesh u thotë atyre: “Merre lapsin, fletoren dhe mëso, mëso se pa shkollë, s’ka jetë të mirë”! Ai, ndonëse mjaft i shtyrë në moshë, aty ku është busti i herotit, Agim Ramadani, është roja e tij.

FIDANISHTJA

Ai kujdeset për bustin e Agimit, heroit të kombit shqiptar. E pastron krejt “oborrin” e bustit. Kur vijnë fëmijët afër bustit të Agimit, në vend se ta nderojnë heroin, ata, aty hedhin fara, letra, kanaqe e lloj-lloj sende tjera. Ai, pa hezituar fare, këto “sendet” të tjerëve i mbledh dhe i hudh aty ku e kanë vendin. “Unë çuditëm, thotë xha Bexheti, – kur kjo rini vjen e ulet aty afër bustit dhe hudh sendet jo të këndshme, si nuk ia vret syrin e keqja! Aty bëhet ambient shëmtues. Mandej, ata sikur këtë “vend” e shohin si kënd për prehje e jo vend si vend i shenjtë i heroit të kombit, Agim Ramadani. Unë disa herë në ditë e pastroj këtë vend me fshisë dhe para figurës së Agimit e ndjej veten krenar dhe krenohem… Çuditem se si rinia e sotit nuk vjen të përkulet para heroit të kombit, por aty kthehet dhe argëtohet par bustit në fjalë. Kjo skenë, vret dhe është shëmtuese. Djali im, Naseri, i cili punon tërë ditën në kiosk, disa pjesë të dëmtuara të bustit i ka renovuar ashtu si kanë qenë. Agim është krenaria e kësaj ane, por është edhe krenaria e krejt kombit shqiptar. Ai është i pari që theu kufirin shqiptaro-shqiptar në luftën e Kosharës legjendare, më 1999. Figura e Agim Ramadanit e është e madhe dhe ajo duhet të çmohet e nderohet shumë, shumë…”

Behxhet Maloku, qytetar nga Zhegra thotë se, disa herë nga shtëpia ime kam sjellë lule vetëm e vetëm ta hijeshoj figurën e madhe të Agimit tonë të lirisë. Por, dëshira ime është që edhe rinia shkollore, ajo e cila po shkollohet në afërsi të këtij busti të heroit të kësaj ane, ta respektojë këtë emër të madh të kombit shqiptar.

Andaj, Agimi është i të gjithëve, pa dallim… “Unë vij çdo ditë te busti i Agimit dhe e nderoj duke u përkujdesur për figurën e tij si hero i popullit. Sepse, sa i nderojmë heronjtë tanë, si Agimi e të tjerë, nderohemi edhe ne si komb e si shtet”. Në fund i thamë: “Të lumtë, xha Behxheti, hero i ditëve tona”!. /tefik selimi/rajonipress/