Gjilani përmbyll një stinor të suksesshëm
Gjilan – Gjilani ka përmbyllur një stinor tejet të suksesshëm, duke mbledhur 43 pikë, të cilat e mbajnë në kreun e tabelës. Tri pikë të reja gjilanasit i arritën në ballafaqim me KEK-un, që gjithashtu është kandidat për rang më të lartë të garave. Shënues: Sermaxhaj 17’, Jashari 43’ – Kurteshi 49’. Gjilani – KEK-u 2:1 (2:0).
Vendasit e kanë nisur mirë ndeshjen dhe qysh në minutën 17 kanë ardhur në epërsi, kur pas një gabimi të mbrojtjes mysafire, Sermaxhaj, ka gjuajtur nga largësia mbi 2o metra dhe ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të Dedincës.
Mysafirët patën rast të mirë për të barazuar, por Behrami për pak gjuajti jashtë portës e në aksionin vijues vendasit dyfishuan rezultatin, kur Jashari në mënyrë të njëjtë ka gjuajtur si te goli i parë, por tashti në këndin tjetër.
Në pjesën e dytë, mysafirët patën më shumë raste dhe që në minutën 49 ngushtuan epërsinë. Kurteshi ka gjuajtur nga largësia e Maloku ka gabuar rëndë, duke u ngatërruar dhe topi nëpër duart e tija u fut në rrjetë. Për mysafirët u vështirësuan punët në minutën 55, kur Ademaj u zverdh për të dytën herë dhe u desh që të lëshoj lojën. Pak minuta më pas ndodhi edhe lëndimi i portierit mysafir Dedinca, i cili u bart në spital me autoambulancë. Përkundër kësaj mysafirët patën disa raste të mira për të shënuar, por nuk pati ndryshime në rezultat.
Thanë pas ndeshjes:
Musa Selimi (Gjilani): “ Ishte një kampionat shumë i mirë për ne. Tubuam 43 pikë, gjë të cilën nuk e kemi arritur tash e dhjetë vite. Edhe sot dominuam me lojë e me rezultat, kurse gol pësuam nga gabimi i portierit. KEK-u dëshmoi se ka ekip të fortë. Ne jemi kampion moral, ngase luajtëm pastër e në pranverë kemi orar më të mirë”.
Mentor Miftari (KEK-u): “Kam kritika për lojtarët e mi, për këtë ndeshje. Jam i kënaqur me atë që treguan në këtë kampionat. Kjo ndeshje ishte e barabartë, por vendasit më mirë i shfrytëzuan rastet”.
Gjilani – KEK-u 2:1 (2:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 150. Gjyqtarë: Shala, Bala, Muriqi. Shënues: Sermaxhaj 17’, Jashari 43’ – Kurteshi 49’. Kartoni i verdhë: Mustafa – Pantina, Behrami. Kartoni i kuq pas dy të verdhëve: Ademaj.
Gjilani: maloku, Hyseni, Kosumi, Emini (Arifi), Maliqi, Mustafa, Shaqiri, Jashari, Sermaxhaj (Ramadani), Ferati, Blakçori (Morina).
KEK-u: Dedinca (Lugaliu), Preniqi, Ademaj, Pantina, Visoka, Hashani, Xhakalia (B. Behrami), Thaçi (Grajçevci), Simnica, J. Behrami, Kurteshi./rajonipress/.


