Gjermanët e presin ”pazarin”
Thellimi i krizës politike për më shumë se pesë muaj dhe pamundësia e formimit të institucioneve të reja për shkak të polarizimeve të thella ndërmjet dy blloqeve politike, PDK-së në njërën anë dhe Bllokut VLAN në anën tjetër, po e bën të pashmangshëm ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
Madje këto ndërhyrje tashmë janë intensifikuar përmes takime të zyrtarëve ndërkombëtarë me liderët e subjekteve politike në vend.
Në vazhdën e këtyre takimeve të premten në Prishtinë ka qëndruar edhe emisari i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Ernst Reichel, i cili ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, atë të LDK-së, Isa Mustafa, ndërsa zyrtarët e AAK-së dhe “Vetëvendosjes” kanë bërë të ditur se edhe liderët e tyre janë takuar me diplomatin gjerman.
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se diplomati gjerman po qëndron në Prishtinë me qëllim të imponimit të një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës politike në vend./zeri/


