VLAN, mes marrëveshjes dhe ndarjes
Liderët e LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes, pritet të takohen të premten për të diskutuar rreth mundësisë së krijimit të institucioneve të reja. Ky takim i VLAN-it është i pari pas kthimit të liderit të LDK-së Isa Mustafa dhe atij të AAK-së Ramush Haradinajt nga Gjermania. Qëndrimi i tyre në shtetin gjerman ishte me agjendë të ndarë.
Bajram Gecaj nga LDK, ka konfirmuar për gazetën se të premten priten takime në mes të liderëve të Bllokut, në të cilën do të bisedohen mundësitë si të vazhdohet tutje.
Sipas tij, qëndrimi i LDK-së mbetet ai i ditës së premte, kur kjo parti edhe zyrtarisht kërkoi që Isa Mustafa të jetë kandidat i Bllokut për kryeministër. “Ne do të takohemi dhe do t’i diskutojmë të gjitha çështjet.
Qëndrimi i LDK-së mbetet ai i ditës së premte. Ne do të ulemi dhe do të tentojmë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, sepse ende besojmë fuqishëm se është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi të realizohet dhe të pengohet kjo keqqeverisje dhe të instalohet një qeveri më e mirë”, ka thënë Gecaj…(Tribuna)


