Mobi Casa

Themelohet Rrjeti i Studentëve dhe të Rinjve të diasporës

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Pas themelimit ditë më parë të Rrjetit të Studentëve dhe të Rinjve të diasporës në Vjenë, Austri, një rrjet i tillë pritet të themelohet edhe në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih.

Siç bën të ditur në një njoftim të saj Ministria e Diasporës, mbledhja themeluese do të mbahet më 30 nëntor 2014.

“Ministria e Diasporës, bazuar në obligimet që dalin nga Ligji i Diasporës dhe Mërgatës 04L-095, si dhe Strategjia e Diasporës dhe Mërgatës 2013-2018, është në proces të organizimit dhe themelimit të rrjeteve të studentëve dhe të rinjve në diasporë”, thuhet në njoftim.

Ky proces ka për qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit mes të të rinjve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, si dhe angazhimin e tyre të përbashkët për realizimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe historisë sonë, shkëmbimin e përvojave si akademike, ashtu edhe shkencore me studentë e mësimdhënës në Kosovë, si dhe promovimin e shtetit të Kosovës, si shtet me një rini të avancuar.

Rrjeti i parë është krijuar në Republikën e Austrisë më 2 nëntor 2014, ndërsa i dyti do të krijohet në Konfederatën e Zvicrës dhe, më pas, do të vazhdojë edhe në shtetet e tjera, ku ka përqendrim të të rinjve të diasporës.

Ministria e Diasporës, me këtë rast, i fton shoqatat, asociacionet e ndryshme rinore, organizatat studentore dhe individë nga fushat e ndryshme akademike, shkencore, kulturore apo sportive t’i bashkohen kësaj tryeze, përfundon njoftimi për shtyp i Ministrisë së Diasporës.

Data: 30 nëntor 2014

Mobi Casa

Ora: 11:00

Vendi: Qendra Kulturore e Kosovës për Diasporë dhe Mërgatë në Zvicër

Adresa: Hohlstrasse 610 – 8048, Zurich

Për konfirmimin e pjesëmarrjes, ju lutemi dërgoni email në: lorik.pustina@rks-gov.net apo elis.badalli@rks-gov.net.

Për kontakt në Zvicër: shukrije.ramadani@gmail.com

Shukrije Ramadani, u.d. drejtoreshë e Qendrës Kulturore te Kosovës për Diasporë e Mërgatë në Zvicër

albinfo.ch