AAK: S’ka marrëveshje të re, Haradinaj kryeministër
Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e vetmja marrëveshje që është valide është ajo që thotë se posti i kryeministrit i takon Ramush Haradinajt.
Avni Arifi, këshilltari kryesor i Haradinajt i ka thënë Indeksonline se pa u marrë vesh liderët e BLLOK-ut në mes veti, nuk mundet askush të thotë se do e udhëheqë qeverinë.
Ai thotë se në bazë të njohurive që ka, në takimet e liderëve asnjëherë LDK nuk ka folur për të ndryshuar marrëveshjen sa i përket postit të kryeministrit, ndërsa shpreh habinë se si LDK vendosi që përmes medieve të shpërndaj informacionin se tani dëshiron ta udhëheqë qeverinë e re të Kosovës.
“Ne e dijmë për qëndrimin që e ka ndërmarrë LDK-ja, e kemi marrë vesh përmes portaleve, por çdo vendim deri tash është marrë prej liderëve të BLLOK-ut, vet marrëveshja e parë është ndërmarrë prej liderëve të BLLOK-ut. Ne nuk kemi marrëveshje të re, dhe derisa skemi marrëveshje të re, ne i mbesim besnik asaj të pares”, ka thënë Arifi për Indeksonline.
Indeksonline: Pra që posti i kryeministrit i takon Z. Haradinaj?
Arifi: Thashë ne nuk kemi marrëveshje të re.
Këshilltari i liderit të AAK-së, thotë se ndonëse ka një muaj që zyrtarë të ndryshëm të LDK-së janë deklaruar hapur me dëshirën që LDK ta udhëheqë qeverinë e re, por qëndrimi zyrtar i LDK-së nuk u komunikua në takimet e liderëve të partive të koalicionit pas zgjedhor, por përmes medieve.
Indeksonline: Do të thotë e konsideroni të parregullt këtë mënyrë të publikimit të qëndrimit, që përmes medieve të njoftoheni për ndryshim qëndrimi…?
Arifi: Njohuritë e mia flasin se kjo nuk është diskutuar asnjëherë prej liderëve të BLLOK-ut… /Indeksonline/


