Shkurte Fejza, këngëtarja e lirisë
Viti 1992, kohë të vështira për popullin shqiptar në Kosovë. Vendi i okupuar nga regjimi serb. Fillim vitet kur hiqet autonomia dhe shtohen përndjekjet e persekutimet politike të shqiptarëve. Shkollat mbyllen e punëtorët largohen nga puna. Jeta vështirësohet. Të përballur me sfidën jetë a vdekje, ndjenjat patriotike lartësohen.
Mirëqenia sigurohet disi, e kërkesat rriten për liri e pavarësi. Emocionet sa vijnë e shtohen. Njerëzit janë të gatshëm të vdesin për flamurin kuq e zi. Por jo vetëm, ndjenja aq të larta janë edhe për shtetin e Shqipërisë. Për shtetin amë. Simbol i shqitparëve, i cili shpeshherë edhe është hyjnizuar dhe ka arritur deri në mit. Këtë gjendje shpirtërore, shqiptarët kanë ditur ta thurin në këngë folklorike.
“Kam nji lot m’pikon si ar, se me shekuj jam shqiptar. E kur malet mi m’loj bora, për liri këngës ja mora”. Janë këto vargje të këngës “Xhamadani vija vija”, me tekst të autorit Alfred Çapaliku, e performuar nga Shkurte Fejza për herë të parë 1992 në Tiranë. Këngëtarja që sa herë është shfaqur në Televizionin Shqiptar, volumi është ngritur deri në fund. Zëri i saj i ka shtuar të rrahurat e zemrave të shqiptarëve. Këngëtarja e lirisë dhe e xhamadanit. Ikona e skenës së muzikës folklorike e popullore. Simboli i këngës shqipe. Kështu është vlerësuar Shkurte Fejza në 40-vjetorin e karrierës së saj në skenën e muzikës folklorike e popullore, të cilin e shënoi me një koncert të enjten në Sheshin 21 në Prishtinë. Njëri nga kompozitorët e saj, Burim Krasniqi, ka thënë se Fejza ka disa specifika që e kanë mbajtur në skenë për kaq gjatë kohë.
“Është dëshira e saj për të kënduar këngën shqipe, për t’i kënduar kombit. Por edhe aftësia prej këngëtareje që në shumë raste ka arritur të bëhet simbol i këngës shqipe. Ajo është këngëtare kryesisht e këngëve epike, por ka edhe elemente të lirikës. Shkurte Fejza ka arritur me kohë që të bëjë gjetje të kompozitorëve, të tekst-shkruesve dhe realizuesve”, është shprehur Krasniqi.
Ikona e këngës qytetare shqipe, Nexhmie Pagarusha, thotë se kur këndon Shkurtja, i duket sikur dikush po e qëndis kohën.
“Sa lehtë këndon. Zëri i saj është shumë natyral, duke ruajtur specifikat të cilat e krijojnë një këngëtare. Për herë të parë jam takuar me të kur ajo ishte studente. Erdhi më përshëndeti dhe më përqafoj. Më nuk e pash. Dal ngadalë ajo hyri në zemrat e gjithë popullit me këngë folklorike dhe popullore dhe kjo është dhurata më e madhe për të. Shkurtja ka me mbet si simbol”, theksoi Pagarusha. Studiuesi Zymer Neziri, konsideron se shpirti i Fejzës është i lidhur me kombin, po aq sa me familjen e saj.
“Ky emocion i saj, bashkë me talentin dhe zemrën, e ka sjellë këtu ku është”, ka pohuar Neziri.
Hajrush Behluli, bashkëshorti i Shkurtes, ka thënë se duke qenë bashkudhëtari i saj gjatë gjithë këtyre viteve, ndihet mirë dhe krenar për suksesin e saj. Ai thekson se gjatë rrugëtimit me këngët folklorike e popullore, nuk kanë pasur frikë, pasi janë pajtuar me fatin për t’i dhënë zë sa më shumë këngës shqipe.
“Unë dhe Shkurtja e kemi heq frikën që në fillim kur jemi përcaktuar për muzikën popullore. Zoti ta jep një dhunti që ti duhesh ta shfrytëzosh për të mirën e kombit tënd, dhe ne jemi përcaktuar që të jemi në shërbim të atdheut. Më shumë janë frikësuar të afërmit tanë, gjithmonë na kanë pas gajle. Por ne jemi bërë njëjtë”, ka thënë Behluli. Këngët e gruas së tij, që i pëlqejnë më së shumti janë ‘Xhamadani vija-vija’, ‘Kosova nëna ime’, ‘Mora fjalë’, dhe njëra nga më të bukura siç shprehet ai, është ‘Lutem për vendim tim’.
“Gazetarët e kanë pyetur shpesh herë, pse duhet të lutemi akoma për vendin, por ajo thotë se ka gjithmonë vend për lutje”, vlerëson Behluli. Ai tregon edhe për momente kur Shkurtja këndon veç për qejfin e tij.
“Kur udhëtojmë bashkë në Shqipëri ose Maqedoni me veturë, ajo zakonisht këndon ndonjë këngë për qejfi”, thotë Behluli duke qeshur. /Tribuna/


