Eko Higjiena

Milionerët e drejtësisë nuk ka kush t’i hetojë

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Pasurimi i dyfishtë, dukuri e theksuar në Gjykata e Prokurori. Antikorrupsioni pranon se nuk e vërteton dot prejardhjen e pasurisë

Pasuria e zyrtarëve të korruptuar të drejtësisë dhe të pasuruar në mënyrë të paligjshme nuk hetohet nga askush. Pushteti ka mundësuar bllokimin e ligjit që do t’i detyronte të gjithë ta zbardhin origjinën e pasurisë dhe nëse nuk kanë argumente të qëndrueshme të përballen me konfiskim

Mobi Casa

Mënyra se si janë pasuruar shumë zyrtarë të lartë të shtetit mbetet një mister për publikun. Si rrjedhojë e mungesës së Ligjit për hetimin e prejardhjes së pasurisë së pashpjegueshme dhe konfiskimin e saj, një ligj i cili ka kohë që shtetit të Kosovës po i kërkohet edhe nga BE-ja, tanimë edhe individë të shumtë me të kaluar të dyshimtë janë instaluar në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe vazhdojnë ta përdorin atë edhe për pasurimin e tyre të shpejtë. Shumë njerëz që punojnë në këtë sistem, e të cilët me rroga mesatare mezi mund t’ia dalin për një jetesë mesatare, janë bërë edhe me disa hektarë tokë dhe vila milionëshe, derisa kontrolli-hetimi dhe zbardhja e prejardhjes së pasurisë së tyre nga institucionet përkatëse akoma mbetet një mision i pamundur.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit i ka thënë gazetës se në bazë të legjislacionit në fuqi është bërë një punë voluminoze në krahasimin dhe verifikimin e të dhënave për pasurinë e deklaruar, për zyrtarët e obliguar me ligj në të gjitha instancat e shtetit, por për më shumë hetime të prejardhjes së saj Kosova akoma nuk e ka ndërtuar një legjislacion adekuat. “Nuk janë të pakta rastet që Agjencia i dërgon në prokurori e i përkasin deklarimit të rrejshëm. Problemi më i madh është vërtetimi i prejardhjes së pasurisë. Pikërisht për këtë mungon baza juridike. Me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë kjo nuk është rregulluar, kurse ligji i veçantë, edhe pse është premtuar disa herë, ende nuk është bërë”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.