Diplomacia e dështimeve
Tetë vjet krerët e MPJ-së u tallën me shtetin.Përfaqësimi diplomatik i Kosovës, aspak meritor
“Ai që po e rrënon dikasterin e diplomacisë së vendit tonë prej ministrit të parë të jashtëm e deri tek ky i fundit është nepotizmi politik e familjar, mbytja e profesionalizmit si pasojë e këtij nepotizmi, por edhe situata politike e vendit, që në politikën e jashtme është reflektuar shumë”, tha politologu Albinot Maloku për “Kosova Sot”
Politika e jashtme e shtetit të Kosovës u dëshmua si sektori më i dështuar në këtë ecje të pavarësisë dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, edhe në këtë tetëvjetor të pavarësisë. Kosova është duke funksionuar si shtet jo aq shumë funksional, një shtet i izoluar, pa perspektivë të afërt të integrimeve në mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtar, akoma larg anë- tarësimit në NATO, shtet pa ushtri dhe pa shpresa për ndërtimin e saj të shpejtë.
Analistët politikë për gjithë këtë dështim të madh adresë të vetme e kanë politikën e dështuar të të gjitha qeverive të deritanishme në diplomaci- politikë të jashtme, por që pas pavarësisë kryesisht u ndërtuan nga PDK-ja dhe lideri i saj, Hashim Thaçi.
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se në aspektin e shtetndërtimit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, diplomacia e re e Kosovës është dëshmuar si sektori më i dështuar, jo vetëm sa i takon sigurimit të një numri më të madh të njohjeve nga shtetet e ndryshme, por ajo më e theksuar është te dialogu me shtetin fqinj, ish-agresorin e Kosovës – Serbinë, pasi që në insistimin e faktorit ndërkombëtar për fillimin e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve me shtetin serb, hyri si një diplomaci krejtësisht joprofesionale dhe e papërgatitur për sfida të tilla. “Mos të harrojmë se është pikërisht marrëveshja Thaçi-Daçiq, e vitit 2013, ajo që ka ndikuar në minimin e sovranitetit të brishtë edhe integritetit të shtetit të ri të Kosovës, që janë bazamenti dhe vazhdimësia e marrëveshjes Mustafa-Vuçiq të gushtit të vitit të kaluar. Pra, që të dy këto marrëveshje mbi themelimin e Asociacionit janë një dështim i madh dhe të themi historik i papërmirë- sueshëm i diplomacisë kosovare, grusht sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës sepse janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

