United Hospital

8 vjet shtet

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Republika e Kosovës sot shënon 8-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit. Prishtina dhe komunat tjera, tashmë janë stolisur me flamuj dhe simbole shtetërore, që krijojnë atmosferën e kremtes.Ndërkohë në Kosovë kanë arritur edhe një numër delegacionesh dhe mysafirësh nga vendet tjera për të qenë pjesë e festimit të 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë uruar qytetarët e vendit për 8-vjetorin e pavarësisë së shtetit të tyre.

Në pritjen zyrtare me rastin e 8-vjetorit të pavarësisë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se shteti i Kosovës ka lindur me shumë mundime, sakrifica të hatashme njerëzore, vuajtje të thella dhe me pasoja të rënda.

Ajo ka thënë se sakrifica për të arritur deri më sot, krijon vetëdijen se Kosova nuk mund të përvetësohet dhe nuk është e asnjë lideri politik. “U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë, për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie. Për të këmbëngulur për rend dhe ligj dhe për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit. Për t’i rikthyer në busull të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan që ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë”, ka thënë Jahjaga.

Edhe kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se Republika e Kosovës është rrëfimi i përbashkët i suksesit të qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve të tyre, ndaj të cilëve ata do të jenë gjithmonë mirënjohës.

Në ditën kur shënohet përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës, opozita ka paralajmëruar protestë masive për në orën 14:00, me kërkesën për largimin e qeverisë së vendit dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

ARKATANA

Për tetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kanë folur edhe deputetët e opozitës që ishin nënshkrues të kësaj deklarate. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se asnjëherë s’do të kishte besuar që gati një dekadë pas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dikush do të nënshkruajë që Serbia të kthehet në Kosovë, e dikush tjetër do të nënshkruajë që Kosova të tkurret edhe më shumë me territorin e saj.
Ajo ka konsideruar se Kosova ka shënuar regres në shumë fusha.

Po ashtu, edhe deputeti i opozitës nga radhët e Nismës për Kosovën, e që ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë në atë kohë si deputet i PDK-së, Zafir Berisha, ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk do të kishte besuar se atë ditë kur e ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë tash, pas tetë vjetësh, do të dilte në protestë për ta mbrojtur Republikën e Kosovës.

Analistët politikë shprehen të pakënaqur me të arriturat e shtetit

Kurse njohësit e rrethanave politike në vend nuk janë shprehur të kënaqur me të arriturat e shtetit të Kosovës gjatë këtyre tetë vjetëve. Ata kanë vlerësuar se tetëvjetori i shpalljes së pavarësisë shtetin më të ri në Evropë po e gjen me probleme të mëdha politike. Për këtë ata i kanë fajësuar edhe ndërkombëtarët.
Analisti politik Belul Beqaj ka deklaruar për “Epokën e re” se as pesimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur që në tetëvjetorin e pavarësisë disa do të protestojnë e disa do të festojnë. “Besoj se as pesimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur që pas tetë vjetëve pavarësie disa do të festojnë, ndërsa të tjerët do të protestojnë në Ditën e Pavarësisë. Mjerisht, Dita e Pavarësisë së Kosovës mund të shndërrohet në ditë të afirmimit aq edhe në ditë të vetëmohimit të shtetësisë, meqë qytetarët janë ftuar të dalin më 17 Shkurt me emocione kundërthënëse. Përkundrazi, jam skeptik se do të përçohet mesazhi i duhur”, ka thënë ai. Beqaj ka vlerësuar se gjatë këtyre viteve ka pasur shumë mashtrime dhe abuzime që kanë humbur besimin e qytetarëve. Sipas tij, këto mashtrime në çdo levë të pushtetit nuk ka pasur nevojë të ndodhin. “Arsimi, shëndetësia, kultura… kanë mundur të shndërrohen si gjenerues të zhvillimit, mjerisht janë shndërruar në frenues të zhvillimit kombëtar dhe shtetëror dhe bartës të politikës së prodhimit serial të gjysmanalfabetëve me diploma fakulteti, masteri dhe doktorate. Në planin e brendshëm privatizimi është shndërruar në profitizim të oligarkëve dhe ushqim klientelizmi në njërën anë, në anën tjetër varfërim dhe eksod të qytetarëve, që s’ka qenë qëllimi i privatizimit”, është shprehur ai, duke shtuar se gjatë kësaj kohe sovraniteti i shtetit ka qenë i varur nga ndërkombëtarët dhe Serbia. “Sovraniteti i shtetit ka qenë i varur nga serbët, Serbia dhe ndërkombëtarët, sesa nga pushteti legjitim dhe legal i Kosovës. Drejtësia është sjell si njerkë ndaj atyre që janë larg pushtetarëve dhe pushtetit, dhe nënë ndaj pushtetit dhe pushtetarëve. Si pasojë e këtyre dhe disa dështimeve të tjera, logjikisht, në planin e jashtëm nuk kemi mundur për të bërë më shumë kur kemi dështuar në fushat kryesore të brendshme”, ka thënë Beqaj.

Edhe analisti tjetër politik, Behxhet Shala, ka deklaruar se shteti i Kosovës nuk është ai që kanë pritur qytetarët. “Ky përvjetor po e gjen Kosovën me probleme të mëdha politike. Që gjashtë muaj nuk mund të zhvillohet jetë normale politike për shkak se opozita nuk po e lë Kuvendin të punojë sepse është kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Opozita do që kjo qeveri të shkarkohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kurse pozita mendon se është duke punuar mirë. Është absurde kur të dyja palët mendojnë se janë duke punuar mirë, në ndërkohë varfëria, papunësia dhe krimi i organizuar janë në rritje. Pra, nuk është kjo Kosova të cilën e kemi paramenduar pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Shala. Për këtë gjendje ai e ka fajësuar edhe bashkësinë ndërkombëtare. “Ne kemi menduar se stabilizimi dhe zhvillimi i vendit do të shkojnë me një ritëm më të shpejtë, aq më parë kur dihet se ka pasur kushte që të veprohet më mirë, por doli që ndërkombëtarët kanë luajtur lojën e tyre, shkaku që nuk kanë qenë të interesuar të bëjnë një shtet stabil, për ta lënë një shtet të varur në shumë sfera të jetës”, ka thënë Shala. Sipas tij, e keqja më e madhe është se askush prej subjekteve politike nuk po jep shpresë për qytetarët. “Në përgjithësi është një pasqyrë jo e mirë, mirëpo ajo që është më e keqja është se nuk po del një forcë politike e cila ka një strategji apo që e ka një ofertë që jeta e qytetarëve të Kosovës të përmirësohet në planin ekonomik apo që të përmirësohen shërbimet në shëndetësi, arsim e fusha të tjera. Në mungesë të një perspektive të zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit social, partitë po merren me tema të mëdha”, ka thënë Shala./epoka e re/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.