Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan ka filluar me kohë semestri veror
Gjilan – Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan kanë filluar me kohë ligjëratat dhe ushtrimet për semestrin veror të vitit akademik 2015/2016. Me këtë rast studentëve u është drejtuar Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve e cila ka thënë se gjatë këtij semestri do të punojmë më shumë dhe sigurisht se do të kemi rezultate edhe më të mira: “Jam e gëzuar që sot filloi semestri veror, besoj se këtë semestër do të punoj më shumë dhe do kemi rezultate më të mira”, është shprehur prorektorja Qamili.
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan këtë semestër e filloi më i përgatitur se më parë, pasi që trembëdhjetë profesorë te rinj te rregullt kane filluar me ligjërata të cilët do të përgatisin studentët e UKZ-së për tregun e punës jo vetëm të Kosovës por edhe të Rajonit e Evropës. Kjo dëshmon gatishmërinë dhe përkushtimin e menaxhmentit drejtues të Universitetit për krijimin e kushteve dhe përkushtimin për punë, gjithnjë kur është fjala për Institucionin dhe studentët në aspektin e ngritjes së cilësisë.
Studentët kanë pasur një muaj pushim nga ligjëratat, ku gjatë asaj periudhe kanë hyrë në provim në lëndët e semestrit paraprak./rajonipress/


