Për ata që janë lodhur nga Amerika
Nga Ismail Syla – Kosova pa Amerikën do të ishte e lirë nga rendi, disiplina, në gjendje krejt natyrore, një fushë e lashtë e mëllenjave, ku dimrit do të binin në më mirë në sy pamjet depresive, drurët me gjethet e rëna, e sipër tyre mëllenjat dhe galat, të cilat do ta bëjnë rendin mbi tokë.
Për të treguar dashamirësinë ndaj Kosovës, ish sekretari gjeneral i NATO-s, lordi George Robertson në një ligjëratë u thirr edhe në një për qind të gjeneve shqiptare, pas një analize të ADN-së. Edhe pa atë përqindje shqiptare, politikani skocez që vjen nga një shtet me demokracinë më të konsoliduar në botë, që nuk ka lejuar asnjëherë ë shfaqet asnjë formë të ekstremizmit (fashizmi, komunizmi) konsideratën ndaj çlirimit të një vendi të mbuluar nga terrori nuk do ta zbehte në asnjë rrethanë. Por, ai dhe gjithë politikanët e botës demokratike që kontribuuan për bërjen e Kosovës dhe e duan ecjen përpara të saj, janë krejt të pafuqishëm përballë tendencës së brendshme erozive që vjen nga vetë politikanë t e Kosovës.
Përfaqësues të rëndësishëm të shteteve të rëndësishme që sa muaj i bien të njëjtës kambanë dhe përsërisin të njëjtin avaz: përmes gazit lotsjellës Kosova dëmtohet në dy rrafshe “njohjet dhe procesi i shtetësisë dëmtohet shumë kësisoj” (George Robertson në Klan Kosova). Po ashtu, një tjetër mesazh dashamirës i lordit Robertosn ishte këshilla për ta parë Kosovën jo vetëm me syrin e vetvetes, por edhe me syrin e ndërkombëtarëve, si qartësi më e plotë që
tregon pozicionin real në hapësirë dhe kohë. Por, dikush në Kosovë sikur është lodhur nga bota e cila në momentin më dramatik dhe vendimtar, intervenoi dhe bëri që Kosova të jetë e lirë.
Lordi Roberston para 16 vitesh në Poklek të Drenicës kishte forcuar idenë e drejtësisë së intervenimit me bomba mbi caqet serbe. Muret e shpuara me plumba, të nxira nga djegia, të vrarët dhe fëmijët jetimë arsyetonin intervenimin më të suksesshëm të NATO-s deri atëherë. Asnjë dilemë morale nuk mund ta luhat drejtësinë e ndihmës perëndimore për Kosovën. Asnjë pengesë nuk do të dilte ta ndalë rrumbullakimin e idealit politik të shqiptarëve të Kosovës, krijimin e një shteti të lirë, demokratik, të pavarur dhe në harmoni ndëretnike. E, pikërisht kur ky rrumbullakim i projektit madhor është në prag të disa të arriturave, për të cilat është pritur me durim, duke përmbushur kriter pas kriteri, dalin zëra që janë të lodhur nga miqtë, nga bota perëndimore dhe nga Amerika.
Me shumë pak lojë imagjinate le ta paramendojmë si duket Kosova pa Amerikën. Një Kosovë e lodhur si flamuri i zbehtë kuqezi, me fije të dala të një stofi të hollë që valëvitet para derës së një komune në qendër a periferi të vendit. Një stemë e humbur komune që ia vlen të bëhet stemë e Republikës sonë. Stemë me krah shqiponjash, me rremba e ngjyra e dizajnuar sipas modelit të emblemës partiake, e qartë e thjeshtë pa fantazi dhe imagjinatë krijuese. Një lapidar tek varreza e heroit dhe martirit i bërë me shije edhe më të keqe se kënga tallave. Do të ishte Kosova e cila forcat e armatosura do nuk do t’i çonte njëzet e katër orë në stërvitje brenda e jashtë kazermave, por për të nderuar në kullat surrogat të kullave qindvjeçare. Një Kosovë e cila do t’i kishte vetëm 50 metra larg shtëpisë private selinë e PTK-së, Aeroportit, doganat, me rrugë të mbuluar me tjegulla të tejdukshme që të mos na lag shiu e bora për të shkuar gjer në to.
Në Kosovën pa Amerikën, ka vend për të gjitha gradat ushtarake dhe policore , për ata që janë merak në to. Ka titujt akademikë, nderi dhe merite, libra të shkruara nga mercenarë shkarravitës me porosi sipas nevojës, për të gjithë ata që duan ta shërojnë kompleksin e vobektësisë intelektuale dhe shpirtërore. Tema masteresh dhe doktoraturash me vlera ekskluzive tri në një, si paketime neskafesh a skeqe të paguara mirë për komedianë stupcash, cimash e lecash. Do të ishte Kosovë në të cilën tërë fisi ka talente në daç për muzikë, në daç për media dhe çdo fushë ku i nevojitet Republikës, pa Amerikën.
Në Kosovën pa Amerikën uji i Hidrosistemit Ibër Lepenc do të shkojë vetëm në arën ku vaditet kallamboqi ynë. Ndërkaq, uji i pijshëm do të mungojë në rubinetin e qytetarëve, gjersa të mbushte pishina jonë nga rezervuarët e ujësjellësit rajonal “Prishtina”.
Kosova pa Amerikën do të ishte e lirë nga rendi, disiplina, në gjendje krejt natyrore, një fushë e lashtë e mëllenjave, ku dimrit do të binin në më mirë në sy pamjet depresive, drurët me gjethet e rëna, e sipër tyre mëllenjat dhe galat, të cilat do ta bëjnë rendin mbi tokë.
Imagjinata e secilit lexues mund ta pasurojë pamjen për Kosovën pa Amerikën.
Kosova pa Amerikën? Vendi më i shëmtuar në botë./express/


