Ka ndërruar jetë Sabri Ahmeti
Gjilan – Arsimit shqip i mungon nga sot edhe një pishtar i arsimit. I mungon dhe, mungesa e tij, sot është e rëndë për familjen, shokët, kolegët dhe shkollarët e tij. Por, ja vdekja, ajo po i merr njerëzit para kohe. Kjo vdekje e mori edhe Sabri Ahmetin, arsimtarin e përkushtuar të shkollës shqipe. Sabriu ishte një pishtar i rrallë i arsimit shqip, i cili, edhe atë kohë, kur punoi e veproi, e deshi punën me ditar në dorë. E respektoi orarin e punës, orën mësimore, por i respektoi kolegët dhe shkollarët. Ishte i tëri i përkushtuar për arsimin tonë kombëtar.
Qysh atë kohë, ai diti ta ndajë shapin prej sheqerit. Punoi dhe, punën e respektoi gjer në fund. Qe i drejtë dhe, të padrejtën kurrë nuk e pranoi. Por, ja vdekja, ajo i erdhi pa ftesë. Pa ftesë e mori edhe Sabri Ahmetin, pishtarin e zellshëm të shkollës shqipe. Dhe, papritur, sot erdhi kumti se, në moshën 81-vjeçare ka ndërruar jetë Sabri Ahmeti, Këshilltar i lëndës së kimisë dhe biologjisë.
Sabri Ahmeti ishte i lindur më 1935 në fshatin Hogosht, komuna e Kamenicës. Shkollën fillore, gjysmë mature, e mbaroi në vendlindje, ndërsa dy klasë të tjera i vazhdoi në Gjilan. Po ashtu, ai vazhdoi shkollimin tjetër, Normalen në Gjakovë, ku e përfundoi në Prishtinë, më 1954. Pas mbarimit të Shkollës Normale, ai shërbeu si mësues në Shipashnicë të Epërme, e më vonë atë e shohim duke punuar si arsimtar në Shkollën tetëvjeçare në Muçivërcë, Roganë dhe Hogosht. Në vitin shkollor 1958/59, Sabri Ahmeti, tash i ndjerë, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Grupi biologji-kimi dhe amvisni në Prishtinë.
Pas mbarimit të shkollës në fjalë, emërohet drejtor në Shkollën fillore të Roganës. Në vitin 1962 filloi të punojë si mësimdhënës i lëndëve biologji e kimi në Shkollën Normale në Gjilan. Këto lëndë i ligjëroi edhe për nxënësit e Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan. Me ardhjen e tij në Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan dhe në Gjimnazin e këtij qyteti, lëndët biologji dhe kimi, që gjer atë kohë ligjëroheshin nga profesorët e nacionalitetit serbë, u zëvendësuan në gjuhën shqipe.
Të shtojmë edhe këtë se, Sabri Ahmeti, që tash na mungon, në kohën kur punoi, sa ishte si kujdestar klase dhe kryetar i komisionit në riprovime, bashkë me Selman Vokshin, tash i ndjerë, por edhe me mësimdhënësit të tjerë shqiptarë, janë angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të nxënësve shqiptarë që ua bënin të padrejtë nga disa mësimdhënës serbë.
Në vitin 1966, Sabri Ahmeti është emëruar Këshilltar për lëndët biologji dhe kimi në Entin Regjional Pedagogjik të Gjilanit, në të cilin vend punoi 3 vjet me radhë. Pas kësaj pune, ai punoi edhe një vit si mësimdhënës në Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilanit, ndërsa, më 1972 u zgjodh drejtor i Shkollës fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan. Këtu punoi deri në vitin 1981.
Pas këtij viti, atë e shohim duke punuar në Prishtinë si referent se sekretar i Këshillit Punëdrejtues në Tregtinë e Kosovës, ku edhe është pensionuar para kohe. Por, ja vdekja.
Ai iku në botën e përjetësisë, por vepra e tij ka mbetur e “gjallë”. E “gjallë”, sepse ka lënë gjurmë në arsimimin e gjeneratave të reja, të cilat, sot e përkujtojnë arsimtarin e tyre që ka qenë gur themeltar i arsimit shqip. I qoftë lehtë dheu!/ tefik selimi/rajonipress/


