ARKATANA

Viti i mbrapshtë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Viti 2015 ia kaloi për të keq vitit paraprak, të cilin shumëkush e quajti ters për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, rezultatit dhe ngërçit gjashtëmujor.

Viti që po mbetet pas mund të konsiderohet një shtrat “Prekrusti”, ku ankthi i stërlodhjes i ka mbërthyer gjatë gjithë vitit qytetarët e Kosovës.

U nis me protesta.

Fillimisht, qindra mijëra veta kërkuan dorëheqjen e ish-ministrit serb, Aleksander Jabllanoviq, i cili nuk e kurseu fjalorin prej rrugaçi, duke i sharë nënat e familjarëve të zhdukur në Gjakovë. Këto protesta eskaluan në dhunë dhe u bë i pashmangshëm shkarkimi i tij.

Revolta qytetare vazhdoi sërish.

Por kësaj here kundër Gjykatës Speciale, një Tribunali ndërkombëtar që pritet të sjellë polarizime të mëdha në jetën politike, pasi që në vitin 2016 priten aktakuzat e para kundër ish-eprorëve të UÇK-së.
Ndërsa, ajo që do të mbetet në mendje për një kohë të gjatë është dhuna në Kuvendin e Kosovës.
Gazi lotsjellës, ndërprerja e seancave plenare, improvizimi i mbledhjeve si në kohë kaçakësh, burgosja e deputetëve, futja e policisë nëpër seanca kanë krijuar një pikturë me shumë shkarravina në Republikën shtatëvjeçare të Kosovës. Pamjet nga Kuvendi i kanë qitur hije të zezë vendit dhe kanë dëshmuar se Kosova ka një lidership shumë anemik, ka politikanë infantilë, që maçokun nga pjata nuk mund ta nxjerrin.

Mobi Casa

Kriza parlamentare për nga marrëzia ia kaloi ngërçit politik të vitit 2014, edhe pse e keqja ndoshta buron aty, në ish-bllokun VLAN, por hendeku u thellua aq shumë, saqë ia lëkundi thellin e stabilitetit vendit.

Tashmë situata u tensionua edhe më shumë pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese se 70 për qind e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është jokushtetuese. Opozita tanimë ka arsye të ndihet më e “krekosur” si ata gjelat kolumbianë pas përleshjes, pasi u dëshmua se në njërën pikë kishte të drejtë. Ndërsa, mazhoranca vazhdon me kurajën e tepruar duke interpretuar sipas qejfit vendimin e Kushtetueses, se “marrëveshja nuk e pengon themelimin e Asociacionit”.

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese nuk matet me dy kute. Këtu është si çështja e virgjërisë. Gjykata ka dëshmuar se nuk është…

Opozita tanimë po kërkon zgjedhje të parakohshme, duke këmbëngulur se nuk ka bisedime me ata që kanë shkelur Kushtetutën. Ndërkaq, koalicioni është deklaruar kundër zgjedhjeve dhe është për vazhdimin e punës sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkombëtarët në anën tjetër po shikojnë seri, ndërsa presidentja e vendit, duke e parë veten të pafuqishme për ndërmjetësim, po e aplikon logjikën politike “le se faire”.

Ndryshe, piktura shumëngjyrëshe e skenës politike me refleksione dhune, urrejtje patologjike, cinizëm dhe injorim, tregon se dramat e njëjtë do të shfaqet edhe në vitin 2016. Dëshiroj që të mos jetë kështu.

Urime 2016-a!