UBT

Presheva kërkon: Çështja e Shqiptarëve të Luginës te përfshihet në dialogun e Brukselit!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Preshevë -“Kërkojmë që urgjentisht të përfshihet edhe Çështja e Shqiptareve të Luginës në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, në atë të 25 gushtit 2015 dhe në Dialogun e Brukselit!” thotë analisti nga Presheva dhe eksperti për ceshjen shqiptare nw Ballkan Nehat Hyseni për “Presheva Jonë”.

Sipas tij “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i 23 dhjetorit 2015, konstaton se Marrëveshja e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga kryeministri Mustafa dhe nga kryeministri i Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së BE-së, Frederica Mogherinit, nuk është “perfekte” dhe ka shumë defekte e mangësi, të cilat duhet përmirësuar.

Ne shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojmë dhe punojmë në Kosovë kemi reaguar me kohë se Dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, qysh nga Takimi i Vjenës në vitin 2006, konsiderojmë se kishte filluar në mënyrë të papranueshme she të mbrapshtë, sepse e kishte përjashtuar që nga fillimi Luginën e Preshevës nga këto bisedime.”

Hyseni nw vazhdim ka pohuar se “Gabimi fatal kishte ndodhur me pëlqimin antikombëtar të ekipit negociator të Kosovës, duke menduar se është i mundur stabilizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe stabiliteti, mirëqenia e paqa në rajon, pa përfilljen e çështjes së shqiptareve të Luginës së Preshevës.”

Sipas tij “Sa duket, nga historia e konflikteve të armatosura në Luginë, e viteve 2000-2001, nuk u kishin mësuar asnjëra palë në dialogun e Brukselit: as pala kosovare, ajo serbe dhe pala e BE-së, e përfaqësuar nga z.Mogherini.

Sikur nuk mjaftoi nënshkrimi famëkeq dhe akti i tradhtisë kombëtare nga Hashim Thaçi, me nënshkrimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013, me të cilën u vendos formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ose “Zajednica”, kryeministri Mustafa e “vulosi” këtë kryetradhëti kombëtare, me nënshkrimin e Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, poashtu në Bruksel, pa e përfshirë edhe çështjen e Luginës.”

Kështu, Lugina iu la pamëshirshëm regjimit antishqiptar të Serbisë me nënshkrimin me dorë të vet nga ish kryeministri Thaçi dhe nga kryeministri aktual Mustafa, duke iu nënshtruar terrorit serb dhe eksodit të përmasave biblike, duke i lënë shkret trojet e veta stërgjyshore dhe krijimit të “Çamërisë së dytë” në rajon.

KKVITI

Tani, ne të zhgënjyer e të mllefosur, pyesim se si ndodhi kjo tradhti e pafalëshme kombëtare?
A thua, vallë, ka akoma njerëz “kokëkrisur” që mendojnë se, vërtetë, mund të ketë normalizim raportesh Kosovë-Serbi, pa përfshirjen e Luginës së Preshevës?!
A mendon ndokush, vallë, se Lugina e Preshevës mund të shitet aq lehtë, të përbuzet pafundësisht, dhe në anën tjetër, të jetë e qëndrueshme paqa dhe stabiliteti në rajon, me shqiptarët në Serbi si komunitetin aktualisht më të diskriminuarin në Europë?
A thua Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nuk e dijnë fare se ne shqiptarët e Luginës, realisht, ekzistojmë mbi këtë tokë e mbi këtë dhe të bekuar, të cilin stërgjyshërit tanë, dem baba dem na kanë lënë amanet?

Vallë, a mendon ndokush se do jemi indiferent për faktin e boshatisjes së këtyre trojeve tona etnike për hirë të një demagogjie të stëpërsëritur kuazieuropiane, duke lëshuar vatanin dhe duke bredhur për faqe të zezë, si “maca nën tërvezë” , gjithandej të pa strehë, pa bukë, pa dinjitet e pa vatan?

Ndërkaq, të shikojmë me durim, në anën tjetër, se si u sigurohen serbëve të Kosovës standardet më të larta europiane të të drejtave të tyre individuale e kombëtare?
Dhe, e gjithë kjo katrahurë e dhimbshme, e gjithë kjo tragjedi kombëtare po na ndodhë edhe me pajtimin, madje dhe nënshkrimin e lidershipit tonë shqiptar?!

Propozojmë që urgjentisht të korrigjohen Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi, si dhe Marrëveshja e Brukselit e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa dhe të futet e të përfshihet aty edhe Çështja e Shqiptareve të Luginës, si e barabartë me atë të Serbëve të Kosovës, konform Rezolutës së Kosovës për Luginën e Preshevës, të 6 qershorit 2013.

Konsiderojmë se pa trajtimin plotësisht të barabartë të çështjes së Shqiptareve të Luginës së Preshevës me atë të Serbëve të Kosovës, sipas parimit të reciprocitetit, nuk ka drejtësi, barazi e mirëqenie në këto troje, dhe as që mund të ketë normalizim të raporteve Kosovë-Serbi.

Prandaj, mirëpresim përfshirjen tonë në Marrëveshjet dhe në dialogun e Brukselit, me rastin e rishikimit të tyre konform Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 23 dhjetorit 2015.