Gashi: Opozita nuk mund ta shkarkojë Mustafën
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, duke komentuar kërkesën e opozitës për dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se duhet reflektim nga të gjitha palët e përfshira.
“Dorëheqja është akt vullnetar sepse këtu janë ngatërruar disa koncepte. Opozita e di që nuk ka mundësi për ta shkarkuar zotin Mustafa, por ka tjetër mundësi: rrugën. Nëse arrin që të mbledhë masa të mëdha, atëherë krijon një perceptim”, tha Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.
Sipas tij, vendimi i Kushtetueses për asociacionin nuk cënon të drejtat dhe liritë e serbëve në Kosovë, por zvogëlon ndikim e shtetit serb brenda Kosovës.
“S’ka vullnet nga askush në Kosovë që të cënohen interesat dhe të drejtat e serbëve në Kosovë”.
Sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit si president i vendit vitin tjetër Gashi ka ripërsëritur se mund të krijohen situata kur vet Thaçi të mos dojë të kandidojë.
“Mund të ketë situatë ku zoti Thaçi mund të mos dojë që të kandidohet për president – vullnetarish”.
I pyetur nëse do të votonte për Thaçin si president, Gashi ka thënë “jo”.


