ARKATANA

“Zoti lart, uzurpatori poshtë”

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë javës që lamë pas me gojën plot tha se Kosova i plotëson të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Madje, sipas tij, vendimi për mospërfshirjen e Kosovës në këtë proces është i padrejtë, duke i anashkaluar problemet e mëdha me sundim të ligjit, që përballet vendi. Derisa ai flet për të gjitha kriteret e plotësuara nga Kosova për liberalizim të vizave, qëllimisht e fsheh faktin se “nën hundën” e tij, përkatësisht ngjitas me objektin e Ministrisë së Jashtme, biznesmeni nga Skenderaj, Rrustem Rukolli, e ka të uzurpuar një lokal, të cilin e ka blerë qe katër vjet një kompani zvicerane, e cila drejtohet nga kosovari, Xhevat Sadrijaj.

Lokalin në fjalë Sadrijaj e bleu nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për 144 mijë euro. Mirëpo, nga ai moment e deri më tash ai nuk mund të futet në lokalin e blerë. Ky së paku deri më tash nuk ka lënë vend pa trokitur, por të gjitha përpjekjet i kanë rezultuar si të pasuksesshme. Ky nuk është rasti i vetëm me të cilat janë ballafaquar dhe po ballafaqohen biznesmenët e huaj dhe ata vendorë derisa zyrtarët qeveritarë ftojnë investitorët e huaj ta sjellin kapitalin e tyre në vend, në një vend kur prona e blerë nuk garantohet me ligj.

Përballë shtatores së dëshmorit të kombit “Zahir Pajaziti” është lokali tjetër i uzurpuar, ndonëse për të një biznesmene kosovare, që ka edhe shtetësi angleze, kishte paguar rreth gjysmë milioni euro në vitin 2013.

Për pronën e njëjtë ajo paguan edhe tatimin në pronë, ka njoftuar të gjitha organet më të larta në vend, por çuditërisht lokali në fjalë edhe më tuje vazhdon të mbahet i uzurpuar.

Ndonëse në parim duket e pabesueshme, por në listën e uzurpatorëve gjendet edhe Fahredin Majkovci, sekretar i Bordit të SHSKUK-së dhe udhëheqës i Degës së Prishtinës në Partinë e Drejtësisë, subjekt ky politik që udhëhiqet nga ministri i Mjedisit, Ferid Agani.

Majkovci për më shumë se një dekadë përfiton ilegalisht nga kjo pronë, të cilin në vitin 2013 konkurroi në AKP për ta blerë, por oferta fituese u shpall e pronarit të ri. Ky i fundit pavarësisht se i ka paguar mbi 180 mijë euro në AKP, Majkovci nuk ia lëshon lokalin, ndonëse ai në vitin 2014 garonte në zgjedhjet qendrore me moton e Partisë “Ndershëm, me punë”. Pra, po flasim për një uzurpator të pronës private, i cili disa muaj para zgjedhjeve ishte paditur për uzurpim të pronës, ndërsa më vonë është avancuar në pozitën aktuale.

Rukolli, Majkovci e shumë persona tjerë edhe më tutje në mënyrë të paligjshme vazhdojnë t’i shfrytëzojnë lokalet, që i kanë blerë kryesisht biznesmenët shqiptarë me shtetësi të huaj.

Mobi Casa

Të martën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se vendi ka shënuar progres në fushën e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, të cilat në nëntëmujorin e parë të këtij viti arritën shumën prej 270 milionë eurosh, ndërsa deri në fund të vitit, sipas tij, ato priten të përmbyllen me rritje të investimeve të huaja deri në 400 milionë euro.

Në raportin e fundit Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerrë një fakt tejet shqetësues, ku tregon qartë se investitorët e huaj kanë filluar t’i shesin aksionet tek rezidentët kosovarë.

Dikur Kosova ishte vend atraktiv për investitorë të huaj, por sot edhe ata që menjëherë pas luftës kanë investuar kapitalin e tyre në vendin tonë kanë filluar të kthehen në vendet nga kanë ardhur.

Investitorët e huaj (që në të shumtën e rasteve nuk dihet se kush janë) viteve të fundit po investojnë në patundshmëri (blerje atraktive të pronave) në gjithë Kosovën, por edhe në ndërtim të pallateve, që në të shumtën e rasteve zyrtarisht nuk u dihet pronari.

Kosova deri më tash ka shpenzuar miliona euro për përmirësimin e imazhit sa i përket investitorëve të huaj, por individë të papërgjegjshëm kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë edhe më shumë imazhin e saj e ku pasojat po i vuajnë si gjithmonë qytetarët.

Në një shtet ku prona private nuk është e shenjtë në praktikë, siç është rasti me këta pronarë të rinj të lokaleve në qendër të Prishtinës, nuk mund të jetë vend atraktiv për investime derisa biznesmenët, si Rukolli, u thonë investitorëve të huaj se “Zoti është lart e ata poshtë”.