Opozita do ta refuzojë Kushtetuesen
Paralajmërimi i një vendimi të pritshëm. Rezistenca vazhdon kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit
Opozitarët, por edhe analistë të ndryshëm, theksojnë se marrëveshjet duhet të kundërshtohen, sepse pasojat janë tepër të rënda për stabilitetin e shtetit
Subjektet politike opozitare, edhe pse akoma nuk e kanë marrë përgjigjen finale të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe nuk kanë ende qëndrim të ri për Demarkacionin me Malin e Zi, mbeten në qëndrimet e mëhershme.
Sa i takon deklarimit të SHBA-së rreth demarkacionit, opozita ka deklaruar se është e bindur që ka pasaktësi dhe ato duhet të korrigjohen.
Sa i takon vendimit në pritje nga Gjykata Kushtetuese, i cili po ashtu është raportuar se pritet të jetë në kundërshtim me pretendimet e opozitës, opozitarët dhe analistët politikë theksojnë se edhe gjykata është e kapur nga politika. “Opozita ka arsye të protestojë edhe më tutje, sepse edhe në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se asociacioni qenka në përputhje me Kushtetutën, kjo shihet qartë se është vetëm vendim politik, sepse edhe analfabeti më i madh e di se asociacioni është antikushtetues”, tha Zafir Berisha nga subjekti politik Nisma për Kosovën./kosova sot/


