Mavraj i vendosur të luftojë për vend te Koelni
Mbrojtësi kosovar Mërgim Mavraj të shtunën është kthyer te skuadra e Koelnit pas një mungese të gjatë për shkak të një lëndimi. 29-vjeçari luajti fare pak në fitoren e Koelnit 2:1 ndaj Borussia Dortmundit, në kuadër të xhiros së 17-të të Bundesligës gjermane.
Ai së fundi në Bundesligë kishte luajtur më 16 maj. Këtë edicion është paraqitur në tri ndeshje për ekipin e dytë të Koelnit, pas rikthimit nga lëndimi, përcjell sot Koha Ditore.
Ndeshja e së shtunës ishte e 100-ta për Mavrajn në Bundesligë. Ai në kampionatin gjerman ka një gol e një asistim. Ndonëse e pret punë e vështirë për t’u kthyer në përbërjen bazë të Koelnit, Mavraj nuk e ka opsion largimin nga skuadra, kanë njoftuar të hënën mediume gjermane, të afërta me skuadrën e Koelnit.
“Do të pushoj dy javë për të mbushur bateritë, pas këtij viti të veçantë. Më pas, më 4 janar do të nis punën për pjesën e dytë të kampionatit”, ka thënë Mavraj.
Paraqitjet me Koelnin janë shumë të rëndësishme për Mavrajn që në verën e ardhshme pritet të jetë shtyllë e mbrojtjes në kombëtaren e Shqipërisë në “Euro 2016”.
http://koha.net/?id=6&l=90215


