Rashiti: Dieta buxhetore e Lutës është false, po zhvaten milionat
Gjilan – Ja si shpenzohet paraja e juaj, që ju e paguani në buxhetin e komunës së Gjilanit, në emër të taksave komunale, tatimit në pronë dhe taksave tjera. Vetëm për 4 tendera që i ka dhënë komuna e Gjilanit, ka shpenzuar mbi 1 milion euro më shumë, për projektet e njëjta që janë realizuar në vitin 2014 dhe viteve tjera të mëparshme ka shkruar Riad Rashiti.
Rashiti ka shkruar se është e papranueshme të shpenzohet paraja e juaj në këtë formë çfarë po e bënë qeverisja komunale e Gjilanit, e cila ka dhënë tenderë për 800% më shtrenjtë për projektet e njëjta dhe me kompanitë e njëjta që i kanë pasur edhe viteve tjera këta tenderë…
Por që tani po i harxhojnë paushall mbi 1 milion euro më shumë, vetëm për 4 projekte……në krahasim me vitet e kaluara.
Ndërsa, kjo qeverisje komunale po vazhdon të mashtrojë opinionin dhe secilin prej nesh, se është në dietë buxhetore dhe se po bënë kursime…A janë këto KURSIME?
Përshkrimi i tabelës:
1. Për tenderin e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve në vitin 2014 është dhënë tenderi në vlerë prej 12 mijë e 550euro, ndërsa për këtë vit është dhënë tenderi për 129mijëe 489 euro, apo për 116mijë e 939 euro, apo për 1mijë përqind me kosto më të lartë…për me i pastruar rrugët nga bora. Është interesant fakti që njëjta kompani ka marr tenderin, rrugët e Gjilanit janë të njëjta, por tenderi 10 fish më i shtrenjtë.
2. Për tenderin e mirëmbajtjes verore për këtë vit është dhënë tenderi në vlerë prej 120 mijë e 470 euro, ndërsa tani për vitin tjetër është dhënë tenderi në vlerë prej 596 mijë e 009euro, dmth për 475 mijë e 539 euro, apo për rreth 500% me çmim më të lartë. Edhe këtë tender e ka marr kompania e njëjtë.
3. Për tenderin e pastrimit të shkollave, në vitin 2012 është dhënë tenderi për tri vite, në vlerë prej 257mijë e 653 euro, ndërsa tani është dhënë tenderi në vlerë prej 415mijë e 759euro, dmth për 158mijë e 105 euro më kosto më të lartë apo për 61%. Edhe në këtë rast tenderin e ka fituar kompania e njëjtë që e ka pasur këtë tender, janë shkollat e njëjta, por çmimet janë fryer shumë.
4. Për transportin e nxënësve, për tri vitet e kaluara janë shpenzuar 269mijë e 349 euro, ndërsa tani janë dhënë tenderë për tri vite në vlerë prej 412mijë euro, dmth për 142mijë e 650 euro, apo për 53% me çmim më të lartë janë dhënë tenderat. Ndërsa dihet fare mirë se numri i nxënësve është zvogëluar në komunë dhe çmimi i naftës ka rënë për rreth 30%, nga 1.36 euro në 0,93euro.
5. Për Dezinsektimin, Deratizimin dhe Dezinfektimin në qeverisjen e PDK janë shpenzuar nga rreth 7 mijë euro vjetore, e që për tri vite 21 mijë euro, ndërsa kjo qeverisje ka dhënë tender në vlerë prej 160mijë 350euro për tri vite, dmth për 139mijë e 350euro, apo për mbi 800% më shtrenjtë…
Pra këto janë fakte dhe jo shpifje siç bënte kjo qeverisje dikur sa ishte në opozitë. Ndërsa sot LDK dhe AAK në Gjilan, nuk kanë guxim as fytyrë të ballafaqohen me këto fakte para qytetarëve dhe opinionit, që do të duhej të merreshin organet e drejtësisë, sikur të ekzistonin këto organe për shtet dhe të ishin në shërbim të vendit…por jo fatkeqësisht!
Për të gjithë këta tenderë, mund të informoheni më detajisht në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës ka shkruar Riad Rashiti./rajonipress/


