Matoshi: Amerika dëshmoi se kauza e opozitës për demarkacion është false
Pavarësisht raportit të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, kjo gjë nuk i ka bindur partitë opozitare që të heqin dorë nga kundërshtimi i kësaj marrëveshje.
Analisti, Halil Matoshi ka thënë se kauza e opozitës lidhur me demarkacionin është false dhe e paqëndrueshme.
“Vërejtjet e Departamentit Amerikan të Shtetit janë serioze dhe dëshmojnë se kauza e opozitës për Demarkacionin është e motivuar politikisht, pra është false dhe e paqëndrueshme. Ngase edhe vet Podgorica zyrtare ka shprehur vullnet për t’u korrigjuar gabimet eventuale”, ka thënë Matoshi për Indeksonline.
Matoshi më pas ka shtuar se kjo nuk është çështje politike por shtetërore dhe se kjo nuk ju përket liderëve të partive politike.
“Thjesht kjo nuk është një çështje politike por shtetërore dhe që u përket ekspertëve të dyja vendeve e jo liderëve të partive politike. DASH ka reaguar në këtë frymë”, theksoi ai.
Matoshi më pas ka shtuar se marrëveshja nuk mund të tërhiqet, por të korrektohet, duke e cilësuar këtë si pengesë në procesin e liberalizimit të vizave.
“Marrëveshja nuk tërhiqet por mund të korrektohet, sepse kjo është pengesë edhe për liberalizimin e vizave. Pra nuk është kërkesë politike por ultimatum nga ana e opozitës”, u shpreh Matoshi.
Më tej ai ka sqaruar se Demarkacioni i kufirit bëhet mes shtetesh të pavarura dhe bazohet në të dhëna gjeofizike kryesisht, por edhe në burime tjera si kadastra, aspekti historik e politik etj.
“Pra duke qenë se Kosova nuk ka qenë shtet i pavarur, me Republikën e Malit të Zi ka pas kufi administrativ (që ka qenë i demarkuar mes Serbisë dhe Malit të Zi) mirëpo i mbështetur në faktorin e sigurisë krashi Shqipërisë, pra duke zënë kurrizin e maleve. Ndërsa demarkacioni me Malin e Zi është shënim i kufirit të ri, përndryshe po të ishte i saktë kufiri i sipas Entit gjeografik të Ushtrisë Jugosllave tashti nuk do të kishte nevojë fare për demaskim”, ka thënë Matoshi, duke shtuar më pas se për habi disa ekspertë të LPK-së tashti janë kujtuar që të thirren në hartat e ushtrisë së mbetur ta asaj që dikur quhej APJ dhe e cila ushtri ka kapitulluar përballë NATO-s në Kumanovë me 10 qershor 1999. /Indeksonline/

